Kolegji politik, i cili po punon për reformën zgjedhore, ka rënë dakord në mbledhjen e sotme për kalendarin e temave që do të trajtojë deri më 15 mars, afat kur duhet të miratohet reforma.
Ajo që bie në sy është fakti se palëve i është lënë më shumë afat për ‘propozime për sistemin zgjedhor’, deri më 10 mars, ndërkohë që mbeten shumë pak ditë kohë për të diskutuar për këto propozime.
Kalendari i plotë i çështjeve që do të diskutohen është:
- Për propozimet për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore (shitblerja e votës; presioni mbi zgjedhësit dhe administratën, abuzimi me burimet shteterore;) palët kanë afat deri më 10 shkurt.
- Për ndarjen e politikës nga krimi, nëpërmjet forcimit e zbatimit të procesit të dekriminalizimit me masa shtesë, palët kanë afat deri më 10 shkurt.
- Për propozime për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje, palët kanë afat deri më 20 shkurt.
- Për propozime për financimin e fushatës zgjedhore, si dhe financimin e partive politike jashtë fushatës, palët kanë afat deri më 15 shkurt.
- Për propozime në lidhje me përgatitjen e listave të zgjedhësve, pajisjen me karta ID, si dhe parandalimin e votimit fiktiv të emigrantëve, palët kanë afat deri më 5 shkurt.
- Për propozime për rolin e mediave në fushatë, palët kanë afat deri më 15 shkurt.
- Për propozimet mbi panshmërinë e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet, palët kanë afat deri më 1 mars.
- Për propozime për sistemin e ankimimeve gjyqësore dhe administrative, palët kanë afat deri më 25 shkurt.
- Për propozime për sistemin zgjedhor, palët kanë afat deri më 10 mars.
- Për propozime për votimin nga jashtë vendit, palët kanë afat deri më 1 mars.
- Për çështjet që lidhen me barazitë gjinore, regjistrimin e subjekteve, periudhën zgjedhore, palët kanë afat deri më 3 shkurt.
- Për çështje të tjera teknike që reflektojne ndryshimet e imponuara nga pikat e mësipërme, palët kanë afat deri më 15 mars.
Për të gjitha çështjet në kalendar përfaqësusesit e opozitës jashtë-parlamentare duhet të sjellin propozimet në formë të drafteve ligjore dhe zgjidhjeve alternative të mundëshme dhe në perputhje me standardet e ODHIR për zgjedhje të lira e të ndershme.
Për çështjet që do të ketë dakordësi të plotë dhe të përgatitura në nivel teksti ligjor të dakordësuar, draftet do të dërgohen për opinion paraprak tek ODHIR.
Pas takimit, ish-ministri Gjiknuri u shpreh se “nëse ka vullnet deri në 15 mars mund t’i kemi zgjidhur çëshjet që deri tani palet janë të ndara.”
Ndërsa përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi tha se “të gjitha masa kanë si emërues të përbashkët, elementin e vullnetit politik për të ndarë shtetin nga politika, shtetin nga partitë politike.”
Ndërsa deputetja Rudina Hajradi deklaroi:
“15 marsi datë është ambicioze dhe shumë e pamundur, por ekspertët do ulen do punojnë paraprakisht, nëse është e nevojshme do ketë ndryshime edhe në kushtetute, jo vetëm ne Kodin Zgjedhor.”
Në takim mori pjesë dhe Ambasadori Britanik, Norman Dunkan.