Reforma Zgjedhore, Kolegji Politik miraton kalendarin e punimeve

Reforma Zgjedhore, Kolegji Politik miraton kalendarin e punimeve

Kolegji politik, i cili po punon për reformën zgjedhore, ka rënë dakord në mbledhjen e sotme për kalendarin e temave që do të trajtojë deri më 15 mars, afat kur duhet të miratohet reforma.

Ajo që bie në sy është fakti se palëve i është lënë më shumë afat për ‘propozime për sistemin zgjedhor’, deri më 10 mars, ndërkohë që mbeten shumë pak ditë kohë për të diskutuar për këto propozime.

Kalendari i plotë i çështjeve që do të diskutohen është:

  1. Për propozimet për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore (shitblerja e votës; presioni mbi zgjedhësit dhe administratën, abuzimi me burimet shteterore;) palët kanë afat deri më 10 shkurt.
  2. Për ndarjen e politikës nga krimi, nëpërmjet forcimit e zbatimit të procesit të dekriminalizimit me masa shtesë, palët kanë afat deri më 10 shkurt.
  3. Për propozime për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje, palët kanë afat deri më 20 shkurt.
  4. Për propozime për financimin e fushatës zgjedhore, si dhe financimin e partive politike jashtë fushatës, palët kanë afat deri më 15 shkurt.
  5. Për propozime në lidhje me përgatitjen e listave të zgjedhësve, pajisjen me karta ID, si dhe parandalimin e votimit fiktiv të emigrantëve, palët kanë afat deri më 5 shkurt.
  6. Për propozime për rolin e mediave në fushatë, palët kanë afat deri më 15 shkurt.
  7. Për propozimet mbi panshmërinë e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet, palët kanë afat deri më 1 mars.
  8. Për propozime për sistemin e ankimimeve gjyqësore dhe administrative, palët kanë afat deri më 25 shkurt.
  9. Për propozime për sistemin zgjedhor, palët kanë afat deri më 10 mars.
  10. Për propozime për votimin nga jashtë vendit, palët kanë afat deri më 1 mars.
  11. Për çështjet që lidhen me barazitë gjinore, regjistrimin e subjekteve, periudhën zgjedhore, palët kanë afat deri më 3 shkurt.
  12. Për çështje të tjera teknike që reflektojne ndryshimet e imponuara nga pikat e mësipërme, palët kanë afat deri më 15 mars.

Për të gjitha çështjet në kalendar  përfaqësusesit e opozitës jashtë-parlamentare duhet të sjellin propozimet në formë të drafteve ligjore dhe zgjidhjeve alternative të mundëshme dhe në perputhje me standardet e ODHIR për zgjedhje të lira e të ndershme.

Për çështjet që do të ketë dakordësi të plotë dhe të përgatitura në nivel teksti ligjor të dakordësuar, draftet do të dërgohen për opinion paraprak tek ODHIR.

Pas takimit, ish-ministri Gjiknuri u shpreh se “nëse ka vullnet deri në 15 mars mund t’i kemi zgjidhur çëshjet që deri tani palet janë të ndara.”

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi tha se “të gjitha masa kanë si emërues të përbashkët, elementin e vullnetit politik për të ndarë shtetin nga politika, shtetin nga partitë politike.”

Ndërsa deputetja Rudina Hajradi deklaroi:

“15 marsi datë është ambicioze dhe shumë e pamundur, por ekspertët do ulen do punojnë paraprakisht, nëse është e nevojshme do ketë ndryshime edhe në kushtetute, jo vetëm ne Kodin Zgjedhor.”

Në takim mori pjesë dhe Ambasadori Britanik, Norman Dunkan.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>