FSHF kontratë të majme 4 vjeçare trajnerit më të moshuar të historisë së kombëtares

Nga Erblin Vukaj
FSHF kontratë të majme 4 vjeçare trajnerit më të moshuar të historisë së kombëtares

Edy Reja do të jetë trajner i kombëtares edhe për 4 vitet e ardhshme. Top-Channel raportoi se Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2024. Italiani 74-vjeçar do të paguhet në total 1,2 milionë euro dhe në fund të saj do të jetë 78-vjeç, çka do të jetë rekord për moshën.

Në fakt Reja është disa muaj larg këtij rekordi. Në  vitin 2007 kur Otto Barić u shkarkua, ishte 74-vjeç e 4 muaj. Reja aktualisht është 74 vjeç e një muaj. Sigurisht mosha në futboll nuk është pengesë për sukses dhe këtë e ka dëshmuar moshatari i tij, Jupp Heynckes, i cili edhe pse “pensionist” në sezonin 2017-18 shpalli kampion Bayernin. Mirëpo Reja nuk është Heynckes,  Shqipëria nuk ka lojtarët e Bayernit dhe as FSHF-ja nuk ka drejtuesit e saj.

Nuk gjen argument investimi kaq i kushtueshëm me kontratë kaq afatgjatë për një trajner, i cili suksese ka vetëm drejtimin e disa skuadrave në Serie-A. Me të tillë kontratë, projekti i FSHF-së për kombëtaren duket në pikëpyetje.

Që pas largimit të De Biasit, kritikat kanë shoqëruar vendimmarrjen e FSHF-së për të vazhduar me kontratat të majme – për Shqipërinë – me trajnerë të huaj. Rezultatet nuk e kanë justifikuar këtë politikë.

Panucci, paguar rreth 240 mijë euro në vit, solli më shumë probleme se sa zgjidhje. Një ndër to ishte dhe mënyra agresive e tij për t’u përballur me gazetarët apo kritikat. Absurde hedhja në gjyq e ish-Presidentit Nishani, vetëm se ky i fundit u shfrye me një postim në Facebook pas rezultateve të dobëta.

Gazetari Gëzim Sinamati kujtoi në emisionin Procesi Sportiv se ish-trajneri i kombëtares Sulejman Demollari u shkarkua në vitin 2002 pas një humbjeje 2-0 në një miqësore me Andorrën në vajtje.

FSHF nuk aplikoi të njëjtin standard me trajnerin Reja. Nën drejtimin e tij, Shqipëria barazoi 2-2 me Andorrën në ndeshje kualifikuese për Euro 2020. Përfaqësuesja modeste e Principatës mes Francës dhe Spanjës nuk shënonte gol në transfertë prej 9 vitesh.

Pavarësisht rezultatit, lojës së dobët dhe humbjes 2-0 edhe me Francën, Reja fitoi zgjatje kontrate. Ai do të paguhet 300 mijë euro në vit, ndërkohë që Demollari, trajneri i fundit shqiptar që ka drejtuar me kohë të plotë përfaqësuesen, “nuk paguhej as 600 mijë lekë (të vjetra)”.

Duke analizuar lojën bashkë me Redi Jupin, themelues dhe drejtues i akademisë Football Republic, Sinamati dhe ish-mesfushori i kombëtares e etiketuan përfaqësuesen me “stadium të ri, por me lojë të vjetër”.

Jupi tha se ende “nuk po arrihet t’i merret maksimumi kombëtares” nuk janë “11 më të mirët në fushë” dhe se “vendosja e tyre nuk nxjerr më të mirën”. Në fakt tranzicioni nga skema e De Biasit 5-4-1 në 4-4-2 dhe 3-5-2 ka prodhuar deri më sot lojë me shumë fytyra.

Në këtë pikë kritikat janë direkte për ato që Sinamati i quan “vazhdimi me Rejën i eksperimenteve me kombëtaren”: me Francën në Francë, Roshi mbrojtës i djathtë, me Francën në Tiranë, debuton Qose nga minuta e parë.

Rejës iu besua kombëtarja në qershor përpara ndeshjes me Islandën. Prej asaj kohe ai ka marrë 3 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje me një total prej 10 pikësh. Trajneri 74-vjeçar është i huaji i dhjetë i përfaqësueses në 17 vitet e fundit. Vazhdimi ende i pazyrtarizuar i kontratës i shton atij presionin për të bindur skeptikët e punës së tij dhe sidomos FSHF-së për zgjedhjet që po merr.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>