Partia e sapokrijuar e Astrit Patozit u miratua sot nga Gjykata e Tiranës, sipas Balkanweb dhe Klan, brenda më pak se pesë orëve nga paraqitja e kërkesës në gjykatë. Pas këtij miratimi ajo ka paraqitur këkesën në KQZ për t’u regjistruar si parti elektorale në zgjedhjet lokale.
Pa asnjë dyshim, është rekord botëror në legalizimin dhe regjistrimin e një partie të sapokrijuar.
Kjo procedurë jashtëzakonisht e shpejtë dëshmon se gjykata ka qenë në shërbim të Zotit Patozi për të ligjëruar partinë e tij, pa zbatuar procedurat dhe standardet ligjore.
Krijimi dhe veprimtaria e partive politike rregullohen nga Ligji për Partitë Politike, i cili përcakton disa kushte që duhen plotësuar dhe verifikuar nga gjykata për të regjistruar një parti. Për regjistrim duhen paraqitur në Gjykatën e Tiranës kërkesa për regjistrim, e cila duhet firmosur nga të paktën tre mijë individë, anëtarë themelues të partisë; statuti i miratuar i partisë; dhe kryetari i partisë, i cili është përfaqësuesi ligjor i saj.
Ndërkohë, dokumentacioni duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor, i cili përveçse verifikimit të përmbushjes së kushteve të mësipërme, duhet gjithashtu të verifikojë nëse statuti dhe dokumentat e tjera të partisë janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Kushtetuta e Shqipërisë, Neni 9/2, ndalon e krijimin e partive të cilat “mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë”.
Në zbërthim të Kushtetutës, Ligji për Partitë Politike, Neni 7, zbërthen në detaje rastet kur nuk mund të krijohen partitë politike, përfshi ato kur funksionimi i saj bie ndesh me parimet demokratike dhe shtetin e së drejtës.
Në zbatim të Kushtetutës dhe të ligjit, pas dorëzimit të kërkesës nga personat e interesuar për të krijuar një parti, Gjykata duhet të shqyrtojë, formalisht dhe në thelb, përmbajtjen e statutit dhe të dokumentave të tjerë të propozimit, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Pjesë e shqyrtimit gjuhësor duhet të jetë edhe verifikimi i ekzistencës dhe orgjinalitetit të firmave të 3 mijë anëtarëve themelues. Ligji përcakton se për çdo anëtar themelues duhet të tregohen emri, mbiemri, numri personal i identifikimit, vendbanimi.
Nëse Gjykata ka dyshime në lidhje me ekzistencën ose saktësinë e të dhënave të anëtarëve themelues, ajo i lë partisë afat 20 ditor për të plotësuar apo saktësuar të dhënat.
Është e qartë se shqyrtimi gjyqësor kërkon kohë të konsiderueshme, ndaj edhe ligji i jep gjykatës 30 ditë të verifikojë të dhënat dhe të japë vendim për regjistrim të partisë politike.
Por në rastin e Zotit Patozi është zhvilluar një procedurë rrufe. Kërkesa për regjistrim është paraqitur sot paradite në Gjykatën e Tiranës dhe në mesditë çdo gjë ka qenë e përfunduar.
Le të supozojmë se kërkesa është paraqitur që në orën 08:00 të mëngjesit, ora kur hapet administrata e gjykatës, dhe le të supozojmë se regjistrimi ka përunduar në orën 13:00, kur është bërë publik fakti se partia e ishte regjistruar (ekziston mundësia që, në të vërtetë, kërkesa mund të jetë çuar më vonë se ora 08:00 dhe regjistrimi të jetë kryer më parë se ora 13:00). Kjo do të thotë se regjistrimi i partisë është bërë brenda pesë orëve.
Exit.al po rendit më poshtë të gjitha veprimet që kanë ndodhur brenda këtyre pesë orëve (ose së paku duhet të kishin ndodhur sipas ligjit).
— Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës dhe më pas është protokolluar në zyrën e protokollit;
— Zyra e protokollit ia ka dërguar kërkesën Kryetarit të Gjykatës së Tiranës;
— Kryetari i Gjykatës ka hedhur shortin për të përzgjedhur gjyqtarin që do të shqyrtojë dhe vendosë për regjistrimin e partisë;
— Në varësi të kalendarit të çështjeve të gjyqtarit është përcaktuar data e shqyrtimit, që do të thotë se ka patur një gjyqtar që jo vetëm ka qenë i lirë sot, por e ka konsideruar prioritet të menjëhershëm këtë çështje;
— Dosja e kërkesës i është kaluar gjyqtarit të përzgjedhur dhe të gatshëm;
— Gjyqtari ka bërë të gjitha verifikimet fomale dhe në thelb, të sqaruara më sipër;
— Gjyqtari ka hartuar dhe firmosur vendimin;
— Vendimi ka shkuar për t’u vulosur dhe protokolluar në zyrën e protokollit;
— Vendimi është botuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Sekretaria gjyqësore ka njoftuar palët për vendimin nëpërmjet ftuesit gjyqësor ose nëpërmjet rrugëvselektronike.
— Pala është paraqitur në gjykatë ka kërkuar në sekretari dhe ka marrë një kopje të vendimit.
Është përtej çdo dyshimi se asnjë nga këto veprime, e aq më pak të gjitha, nuk do të ndodhnin dot brenda ditës e jo më brenda pak orëve, nëse Gjykata e Tianës, administrata e saj, kryetari i gjykatës dhe gjykatësi i çështjes nuk do të ishin në dispozicion të Zotit Patozi.
Përtej kësaj, nuk ka asnjë mundësi praktike që gjykatësi të ketë kryer edhe shqyrtimin më minimal ligjor të dokumentave, prandaj mund të besohet se ai e ka nxjerrë menjëherë vendimin e regjistrimit.
Çdo qytetar që ka pasur sado pak punë me gjykatat mund të kuptojë fare mirë pamundësinë e kësaj procedure skajshmërisht të shpejtë dhe përtej edhe çdo lloj pritshmërie teorike ligjore.
Kjo lloj gadishmërie e të gjitha hallkave të Gjykatës Tiranë nuk mund të ishte e mundur pa një ndërhyrje nga nivelet më të larta të politikës. Se kush politikan i lartë i vendit ka qenë i interesuar që Zoti Patozi të pajisej me një parti — për të mundësuar regjistrimin në KQZ brenda të njëjtës ditë, që është afati i fundit për regjistrimin për zgjedhje — kjo mund të hamendësohet nga kushdo.
Në fund, vlen të theksohet edhe një fakt tjetër, jo pak i rëndësishëm. Partia Bindja Demokratike ka kryetar, i cili është regjistruar si i tillë në Gjykatë—madje edhe në KQZ, nëse partia është regjistruar sot për zgjedhjet lokale.
Asnjë parti nuk mund të regjistrohet pa deklaruar kryetarin në gjykatë dhe Bindja Demokratike nuk mund të jetë përjashtim—nëse është, regjistrimi i saj është i paligjshëm.
Prandaj, pretendimi publik i Zotit Patozi se partia e tij nuk ka kryetar, me shumë gjasa, është i pavërtetë, dhe, për rrjedhojë, duket se pohimi i parë publik i kësaj partie të re është i gënjeshtërt.