Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni pohoi se Fakulteti Ekonomik nuk i ka sjellë asnjë listë të studentëve të cilët kanë përfunduar vitin akademik 2017-2018 dhe 2018-2019.
Në një postim në Facebook, rektori Koni e konsideron qëndrimin e Ministrisë së Arsimit të njëanshëm dhe joprofesional, duke u shprehur:
“Për sa kohë që nga ana e drejtuesit të njësisë kryesore të Fakultetit të Ekonomisë të UT, z.Kule, nuk janë përcjellë listat përfundimtare të studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (detyrim ligjor ky, siç kanë vepruar të gjithë dekanët e tjerë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës, në gjithë këto vite), për vitin akademik 2017-2018, 2018-2019, e bën të pamundur lëshimin e këtyre diplomave nga Universiteti i Tiranës.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka kthyer një përgjigje (edhe me këtë shkresë, jeni njohur nga media), dhe ka shprehur qëndrimin e saj, aspak profesional, të njëanshëm dhe krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë.”
Ai i siguroi studentët se “në momentin kur do të përcillet lista përfundimtare e studentëve të regjistruar, Rektori do të veprojë në mënyrë të menjëhershme, me nënshkrimin e tyre.”
Koni iu bëri thirrje studentëve të mos bien pre e provokimeve dhe keqinterpretimeve.
Disa studentë të Fakultetit Ekonomik bënë publike disa ditë më parë se prej dy vjetësh nuk kanë marrë kartonin e diplomës. Ata i kërkuan Rektorit dhe Ministrisë së Arsimit të marrin masa për t’i pajisur sa më shpejt me diploma.