Ekonomia shqiptare pritet të jetë ndër më të goditurat në Europë, duke qenë se pandemia e Covid-19 do të godasë rëndë sektorin e turizmit. Shqipëria është ndër vendet, ekonomia e së cilës varet shumë nga turizmi.
Sipas përpunimit të të dhënave për udhëtimet dhe turizmin nga Visual Capitalist, Shqipëria, bashkë me Malin e Zi, Kroacinë dhe Greqinë janë shtetet e Europës që varen më shumë nga turizmi.
Të dhënat e vitit 2019 tregojnë se për qindja e njerëzve të punësuar në turizëm ishte sa 22 për qind e totalit të të punësuarve. Llogaritur në shifër, 254,300 persona punuan në turizëm në vitin 2019.
Raporti i Visual Capitalist ka marrë në shqyrtim vetëm 45 vende në gjithë botën, ekonomia e të cilave preket ndjeshëm nga turizmi. Në vendet e para renditen ishuj si Antiga dhe Barbuda, Aruba, Maldive, ku mbi 60 për qind e ekonomisë varet nga turizmi.
Krahasuar me të gjithë vendet, Shqipëria renditet në vend të 30, ndërsa në Europë lë pas vetëm Malin e Zi (33 për qind) dhe Kroacinë (25 për qind).
Më herët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe BERZH kanë parashikuar rënie drastike të ekonomisë shqiptare në vitin 2020 për shkak të dëmin të madh të pandemisë në turizëm.
Pavarësisht gjithë paralajmërimeve, qeveria shqiptare ende nuk ka një strategji për të ndihmuar sektorin e turizmit.