Reporterët pa Kufij: Përkeqësohet liria e medias në Shqipëri

Nga Exit News
Reporterët pa Kufij: Përkeqësohet liria e medias në Shqipëri

Shqipëria ka humbur dy vende në raportin për lirinë e shtypit në botë të Reporterëve Pa Kufij, për vitin 2020. Në vitin 2019, Shqipëria u rendit në vend të 82, por për një vit ajo ka humbur dy vende duke u renditur në vendin e 84, për shkak të përkeqësimit të lirisë së medias dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Shqipëria ka rënë 7 vende që prej vitit 2018, duke shënuar një përkeqësim serioz të lirisë së shtypit dhe të të drejtave të gazetarëve në një vend kandidat për anëtar në BE. Para Shqipërisë renditet Haiti, Kirgistani, Maldivet, Qipro Veriore (pjesë e Turqisë), dhe Timor-Leste.

Madje edhe Malta u rendit më mirë se sa Shqipëria, pavarësisht se këtë vit kryeministri dha dorëheqjen, pasi u publikuan lidhjet e tij në vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia. Shqipëria la pas Sierra Leonen, Hungarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Sipas raportit, në vitin 2019, qeveria me justifikimin për të kontrolluar lajmet e rreme, u përpoq të kontrollonte mediat në vend.

E ashtuquajtura paketë anti-shpifje u votua nga Kuvendi në muajin dhjetor. Kjo paketë ligjore rrit censurën dhe i bën gazetarët më të prekshëm nga presioni i qeverisë.

Zbatimi i plotë i këtyre ligjeve do të “përkeqësojë më shumë situatën e lirisë së medias në një vend, ku qeveria në mënyrë të rregulltë ndalon aksesin e gazetarëve në infromacionin zyrtarë dhe kontrollon tregun e televizioneve përmes shpërndarjes së licensave të transmetimit”.

Reporterët pa Kufij ka kritikuar qeverinë për përdorimin e tërmetit si një justifikim për të arrestuar dhe për të burgosur gazetarët dhe për të penguar lirinë e medias. Gjithashtu, në raport thuhet se dy gazetarë dhe aktivistë u arrestuan për përhapje të lajmit të rreme dhe mediat online kritike ndaj qeverisë u mbyllën.

Kjo sjellje vazhdon edhe gjatë kohës së përhapjes së pandemisë së covid-19. Në mars 2020, Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje të gjithëve të mbrojnë vetën kundër medias.

Gjuha e denigruese e përdorur nga politikanët i ka bërë gazetarët target të sulmeve. Kjo përforcohet edhe nga rritja e numrit të sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe të padive ndaj tyre për prishje imazhi.

Reporterët pa Kufij theksuan se Shqipëria, e cila aspiron të hyjë në Bashkimin evropian, ka dështuar të zgjidhë dhe të dënojë raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe të kërcënimeve serioze kundër gazetarëve.

Këtu mund të gjeni një listë me sharjet e përdorura nga Rama kundër gazetarëve dhe medias që prej vitit 2018, dhe sulmet kundër gazetarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>