Organizata Reporterët pa Kufij (RSF) ka përshëndetur vendimin e Presidentit Meta për të mos dekretuar dhe për të kthyer në kuvend paketën anti-shpifje.
Përmes një postimi në Twitter, RSF e quan paketën si përpjekje të qeverisë për të kontrolluar median:
“Reporterët pa Kufij mirëpresin vendimin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për të kthyer në Parlament 2 ligjet e të ashtuquajturës ‘paketë anti-shpifje’, që shihet si një përpjekje e qeverisë për të kontrolluar median në kundërshtim me Kushtetutën shqiptare dhe Konventat e të Drejtave të Njeriut.”
Reporterët pa Kufij kanë kritikuar hapur qeverinë Rama për hartimin e paketës anti-shpifje që i jep institucioneve nën varësinë e qeverisë të drejtën për të luajtur rolin e gjykatave, për të gjobitur dhe mbyllur portalet online, nëse ata gjykojnë se lajmet e shkruara nuk janë të vërtëta.
Presidenti Meta vendosi dje mosdekretimin e paketës dhe kthimin e saj në kuvend.
Katër argumentet kryesore që presidenti dha janë se:
Paketa anti-shpifje:
- Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;
- Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;
- Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
- Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Për të lexuar më shumë për argumentimin e vendimit të presidentit, klikoni këtu.