Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, organizata Reporterët pa Kufij (RSF) shprehu shqetësimin se qeveria shqiptare mund të jetë e angazhuar për ecjen përpara me integrimin e saj në BE, ajo nuk është e angazhuar për të mbrojtur lirinë e shtypit.
Duke folur ekskluzivisht për Exit News, Pavol Szalai, drejtuesi i RSF-së për Bashkimit Evropian dhe Ballkanin tha se qeveria shqiptare ka përdorur dy kriza si një arsye për të fajësuar e censuruar më tej median.
“Nuk mund të themi se qeveria aktuale është e angazhuar në mënyrë të qartë për të mbrojtur lirinë e shtypit. Ajo ilustrohet nga retorika. Në fillim të krizës së koronavirusit, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve në një mesazh të regjistruar në telefon ‘për të mbrojtur veten nga media’.
Jemi të shqetësuar, sepse në një situatë tjetër krize – tërmetin e tmerrshëm të vitit 2019 – pamë arrestimin e dy gazetarëve dhe një aktivisti me pretekstin e përhapjes së lajmeve të rreme dhe të shkaktimit të panikut, teksa dhe media kritike te tjera në internet u mbyllën.”
Organizata ndërkombëtare e pavarur për lirinë e medias nxori në pah dhe fushatat agresive të njollosjes kundër gazetarëve gjatë vitit të kaluar. Ajo vuri në dukje se portali Exit.al dhe gazetarët e saj ishin vetëm disa nga viktimat e fundit.
Këto sulme tha RSF, duhet të hetohen dhe autorët menjëherë të nxirren para drejtësisë.
“Klima e pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve duhet të zhduket dhe qeveria, politikanët e zyrtarët publik duhet të largohen nga gjuha e urrejtjes dhe të mos minojnë besueshmërinë e mediave të pavarura dhe kritike.”
Ata gjithashtu theksuan dhe rritjen e sulmeve fizike ndaj gazetarëve.
“Siguria e gazetarëve është e komprometuar nga sulmet fizike që mbeten, për më tepër, të pazgjidhura. Është edhe më shqetësuese nëse këto sulme vijnë nga policia, siç ndodhi në Shqipëri gjatë demonstratave në vitin 2019.”
Kur adresonte denoncimet ndaj gazetarëve, të përdorura shpesh nga zyrtarët për të shuar zërat kritikë, RSF tha që kjo kishte një “efekt censurues dhe frikësues” në aftësinë e mediave për të bërë punën e saj.
Për sa i përket paketës anti-shpifje të miratuar nga qeveria, RSF tha se do të ketë një ndikim negativ në lirinë e shtypit në vend. Ata thanë se paketa duhet të tërhiqet nga Parlamenti dhe “qeveria duhet të përmbahet nga ndërhyrja në politikat editoriale të mediave publike ose private”.
RSF tha që gazetarët kanë për detyrë shqyrtimin e veprimeve dhe vendimeve të qeverive me një sy kritik, duke kontribuar në interesin e publikut. Për më tepër, sundimi i ligjit dhe liria e shtypit janë “vlerat themelore të BE-së dhe qeveria e Shqipërisë, një vendi evropian, duhet të bëjë gjithçka për t’i mbrojtur dhe mbështetur ato”.