Republika Serpska nuk heq dekoratat për kriminelët e luftës

Nga Exit News
Republika Serpska nuk heq dekoratat për kriminelët e luftës

Parlamenti i Republikës Sërpskës në Bosnje e Hercegovinë ka vendosur se nuk do të heqë dekoratat per kriminelët e dënuar për krime lufte. Ata hodhën poshtë kërkesën e përfaqësuesit të lartë të BE-së në Bosnje, Valentin Inzko, për të hequr dekoratat për kriminelët e dënuar të luftës.

Ligjvënësit e Asamblesë Kombëtare votuan në mbështetje të konkluzioneve që refuzojnë kërkesën e Inzkos. Dy parti opozitare abstenuan nga votimi, raporton REL.

Në reagimin e tij të parë, Inzko e quajti “frikacak” udhëheqësin nacionalist serb të Bosnjës, Millorad Dodik, dhe tha se do ta njoftojë Bashkimin Evropian për vendimin e ligjvënësve.

Në shkurt, Inzko i dërgoi një letër Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskës, duke i kërkuar anulimin brenda tre muajsh të dekorimeve të lëshuara për njerëzit e dënuar për krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, më 1992-95.

Ata dekoruan Radovan Karaxhiqin, Momçillo Krajishnikun dhe Bilana Pllavshiqin, veprimet e të cilëve “tronditën botën… dhe shkaktuan vuajtje të paimagjinueshme njerëzore”, shkroi Inzko.

Më shumë se 100,000 njerëz u vranë në luftën në Bosnje, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në vitin 1995.

Me këtë marrëveshje, Bosnja u nda në dy njësi: Federata Myslimane dhe Kroate dhe Republika Sërpska.

Karaxhiq, Krajishnik dhe Pllavshiq u dënuan për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>