Reagimi i Komisionit Evropian për vendimin e të gjitha partive të opozitës për të hequr dorë nga mandatet e tyre ka qenë, siç edhe pritej, i shpejtë.
Pasditen e djeshme, zëdhënësja e BE-së Maja Kocijančič bëri këtë deklaratë për agjencinë e lajmeve ATSH:
“Parlamenti është baza për çdo demokraci evropiane – është vendi ku duhet të diskutohen dhe të çohen përpara, dhe jot ë bojkotohen, debatet rreth reformave dhe zhvillimeve përkatëse. Thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar parlamentin dhe që deputetët të heqin dorë nga mandatet e tyre janë kundërproduktive dhe shkojnë kundër përpjekjeve për reformimin e vendit drejt BE-së. Ne presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive, me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike.”
Realiteti, megjithatë, është se “disa anëtarë” të përmendur nga Kocijančič ishin në fakt udhëheqësit dhe deputetët e opozitës, të cilët zgjodhën të jepnin dorëheqjen nga mandatet, në bazë të së drejtës së tyre kushtetuese.
Deklarata e Kocijančiç-it mund të merret si goditja e parë në atë që, pa dyshim, do të jetë një sulm diplomatik ndaj kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, si dhe ndaj secilit deputet të opozitës. Procedura për heqjen dorë nga mandati dhe për emërimin e deputetëve të rinj do të jetë e gjatë dhe do të kërkojë të paktën disa javë. Kjo do t’i japë kohë të mjaftueshme diplomatëve të huaj për të ushtruar presion me qëllim injorimin e vendimit të kryetarëve të partive nga deputetët e PD-së dhe LSI-së, si dhe nga zëvendësuesit e tyre në listat partiake. Rezultati mund të jetë një “opozitë fantazmë”, që mbush vendet e opozitës në Parlament, pa përkrahjen e partive të opozitës, ose, në varësi të asaj se si do të reagojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) — një parlament i pushtuar nga 140 deputetë të Partisë Socialiste.
Megjithatë, pyetja kryesore është se deri në çfarë mase Komisioni Evropian dhe diplomatëve të ndryshëm ndërkombëtarë në Tiranë u dëgjohet ende zëri dhe janë të besueshëm për të ndërmjetësuar një marrëveshje të dytë McAllister +.
Në vitin 2017, në muajt përpara zgjedhjeve të përgjithshme, PD-ja e bojkotoi parlamentin, por u përmbajt nga lënia e mandatet. Presioni i madh ndërkombëtar nga Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan Hoyt Brian Yee dhe Ambasadori i SHBA Donald Lu, bashkë me misionin e BE-së të udhëhequr nga deputetët David McAllister dhe Knut Fleckenstein, arritën më në fund t’i bënin presion kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës që ta pranonin të ashtuquajturën Marrëveshja McAllister +, e cila shtyu zgjedhjet dhe vendosi një qeveri “teknike” shumëpartiake.
Situata aktuale është goxha e ndryshme. PD dhe LSI janë të bashkuara jo vetëm për të bojkotuar Parlamentin, por edhe për të hequr dorë nga mandatet. Artileria e rëndë diplomatike e SHBA-së në vitin 2017 nuk ekziston më. SHBA aktualisht nuk ka ambasador në Shqipëri, ndërsa Zëvendës/Ndihmës Sekretari Wess Mitchell ka dhënë dorëheqjen.
Sa i përket BE-së, atje zgjedhjet po afrohen dhe Komisionerët e BE-së dhe stafet e tyre janë të zënë duke kërkuar punë të reja përpara mbylljes së mandatit. Sipas raportimeve, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn synon të mbikëqyrë politikën ekonomike, ndërkohë që ka shumë pak gjasa që Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini të propozohet nga qeveria e re italiane për të vazhduar punë në Komision. Me fjalë të tjera, si Hahn dhe Mogherini kanë më pak stimuj së në vitin 2017 për të marrë andralla përsipër.
Për më tepër, një valë euroskepticizmi po kërcënon shumicën e parive të qendrës në Parlamentin Europian, që do të thotë se Fleckenstein dhe McAllister kanë pak për të fituar, nëse do ta harxhonin kohën e tyre me një vend si Shqipëria, të cilën shumica e votuesve të tyre as nuk e duan fare në BE.
Së fundi, diplomatët e BE-së e kanë humbur besueshmërinë e tyre tek publiku shqiptar pas reagimit kolektiv ndaj protestës së opozitës të shtunën e kaluar. Paralajmërimet e tyre paraprake për dhunën e opozitës u përqeshën gjerësisht në internet, dhe u dukën në kontrast të qartë me heshtjen e plotë të të gjitha ambasadave për protestat e minatorëve, studentëve, banorëve të Astirit dhe aktorëve kundër politikave të ndryshme të regjimit të Ramës. Dhe denoncimi i tyre kundër dhunës ndaj veprës së artit të Carsten Höller-it “Kërpudha e Trefishtë Gjigande” e kanë shtuargjerësisht perceptimin se diplomatët ndërkombëtarë janë hipokritë, të cilët mbështesin qeverinë.
Kohët e fundit, analisti Fatos Lubonja vërejti me saktësi se, teksa lë mandatet, opozita po vepron duke menduar se ndërkombëtarët do t’i shpëtojnë sërish shqiptarët, si në vitin 2017. Pyetja ime është nëse e kanë vallë ndërkombëtarët ende besueshmërinë për ta bërë këtë. Në kontekstin e një konflikti tjetër rajonal, çështja e kufirit Kosovë-Serbi, Kryeministri Ramush Haradinaj kohët e fundit deklaroi se Mogherini ishte “armike e Kosovës”. Një deklaratë kjo, e paimagjinueshme disa muaj më parë dhe e cila tregon për ndryshimin e perceptimit të BE-së si arbitër neutral.
Arsyeja mund të jetë se vetë Komisioni Evropian nuk ka sy të shohë se qasja e tij për t’i integruar vendet përmes punës së qeverive ka çuar në fakt në kapjen në masë të shtetit në Ballkanin Perëndimor. Në një artikull të kohëve të fundit, Jelena Pejić argumenton se struktura për të përputhur kapitull pas kapitulli legjislacionin kombëtar me atë evropian “lë mënjanë prirjet më të gjera” dhe nuk merr fare parasysh “proceset që e shkrijnë shtetin dhe partinë në një të vetme, gradualisht dhe thuajse pa u ndierë”. Pejić më tej pohon se në Serbi, “nën maskën e negociatave për anëtarësim, për hir të sasisë dhe duke e shpërfillur fare cilësinë, po zbatohen politika që u mungon transparenca dhe gjithëpërfshirja”. E njëjta gjë mund të thuhet lehtësisht edhe për situatën në Shqipëri.
Të gjitha këto – pra, opozita e bashkuar e gatshme të heqë dorë nga mandatet; infrastruktura e dobësuar diplomatike e BE-së dhe SHBA-së; dhe të kuptuarit se në masë të madhe BE-ja ia ka bërë të lehtë Ramës kapjen e shtetit, gjë kundër së cilës po proteston opozita – krijon një dinamikë politike që është dukshëm shumë më e ndryshme nga ajo e vitit 2017. Dhe kjo e bën zgjidhjen politike edhe më të vështirë.