Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar përmbytje në gjithë vendin. Në një lajmërim për mediat, në orën 15:30, Ministria e Brendshme njoftoi se qarku më problematik është ai i Lezhës. Në zonën e Zejmenit vazhdon evakuimi i familjeve, banesat e të cilave janë përmbytur. Aty prej orësh mungon dhe energjia elektrike.
Në Shkodër, në bashkinë e Vaut të Dejës, fryrja e lumenjve rrezikon përmbytjen e disa banesave.
Në disa segmente të Rrugës së Kombit ka rrëshqitje dheu por nuk dihet ende nëse është ndalur qarkullimi.
Ndërkohë, në të dy anët e urës së Shijakut ka nisur evakuimi i mbi 30 familjeve që rrezikojnë përmbytjen, pasi lumi Erzen është shumë pranë daljes nga shtrati.
Rrugët e Tiranës janë përmbytur si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Lana. Deri më tani janë evakuuar 25 familje në Babrru, tre familje në Bregun e Lumit dhe disa të tjera në zonën e Kombinatit. Në zonën e Pakuqanit është çarë tubacioni i furnizimit më ujë të pijshëm dhe po punohet për riparim e tij.
Situata paraqitet problematike dhe në qarkun e Dibrës, ku rreth 200 banorëve iu rrezikohen banesat nga përmbytja. Lumi Drin rrezikon të dalë nga shtrati.
Në Fushë-Krujë dhe fshatin Derven i Poshtëm, dalja e lumit nga shtrati si pasoje e fryrjes rrezikon përmbytjen e disa banesave. Një banesë në Fushë Kuqe është shembur plotësisht si pasoje e hyrjes së ujit.
Në qarkun e Pukës, rrëshqitja e dherave shkaktoi bllokim të disa akseve rrugorë.
Në njoftimin për shtyp Ministria e Brendshme shprehet se “…situata vijon të monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile e cila po koordinon veprimet me të gjitha Institucionet dhe strukturat operacionale në terren. Forcat e FNSH në gjithë vendin janë në terren në ndihmë të banorëve.”