Retë e Kryeministrit

Nga Tanush Çaushi
Retë e Kryeministrit

Dalja e fundit pompoze e Kryeministrit na solli në mend një novelë të Kutelit të shquar. Andej nga fundi i Perandorisë së madhe, dikush i quajtur Xheladinbeu, thoshte se çdo gjë që kalonte në iratin e tij e kishte pronë të vetën.

Makutëria shkonte jo vetëm për tokën e pyjet, për bujqit e bujkeshat, por deri tek minjtë e dheut e zogjtë e qiellit.

Mos qoftë e thënë, po të njëjtin imazh makutërie më krijon edhe Edvin Beu në perandorinë e tij të vogël. Gjatë seancës së sheshit apo shënimeve në Facebook ai lëshoi dhe lëshon shumë re nga pantallonat e gjera të kostumit të ri.

E para re që nxorri ishte zbukurimi i plakës së hershme, partisë se para vitit ’90. Pasi e stolisi, u kujdes për ta mbështjellë me velin e hollë të atdhetarisë dhe harmonisë. Pa e zgjatur, shpalosi dëshirën për krijimin e partisë kuqezi të demokratëve e socialistëve me Edvin Beun në krye. E thënkan pastaj se s’qenka i hollë e i zoti udhëheqësi ynë i madh! Pra, është aq i zoti e i zgjuar, sa me makutërinë e tij e nxjerr të vdekurin nga varri dhe e stolis si nuse për dasmë. Të lutemi, mos e thoni e mos e bëni këtë o beu ynë se ne e kishim një të tillë për gjysmë shekulli e mezi shpëtuam prej saj!

E dyta re që lëshoi Edvin Beu pati rrën e rëndë të kushtit. Që nga lart si nga Olimpi, thirri:

“Hajde të vemë bast Luli, po more qofte dhe një bashki më tepër në zgjedhjet vendore të qershorit, bëjmë zgjedhje të përgjithshme në shtator!”

Të lutemi, mos e thoni e mos e bëni edhe këtë o beu ynë se duket sikur na nguc të futemi në këto sikur zgjedhje për të na vjedhur e për të na tallur. Ti me të tutë hyni në ringun e ndeshjes me plus njëzetë a tridhjete përqind o i shquar pasi keni nën vete tufën e qindra e mijëra të rekrutuarve në administratën e dhjetëfishuar apo të sektorëve të supozuar që paguajnë qindra parazitë, të cilët gjithë ditën fërkojnë barkun duke u ngrohur në diell. Si thua ti o i madh, unë të hyj në gjasme garë elektorale si dordolec për të më tundur ti në dorë për sikur zgjedhje të lira e demokratike?!…

E treta re që u përhap nga Edvin Beu ditët e fundit u shoqërua me jehonë të zgjatur bubullime.

Zgjedhjet vendore do të behen me patjetër në datën e shpallur ndaj përgatituni për të fituar në të gjashtëdhjetë e një bashkitë. Të lutemi as këtë mos e bëni o beu ynë se vjen erë shumë e keqe dhe e shpifur! Me cilin do matesh e do ndeshesh o i madh?!… Ja, thjeshtë nga kuptimi gjuhësor i fjalës zgjedhje që do të thotë se duhet të jenë dy, tre e më shumë që të mund të zgjidhet një. Se po qe vetëm nje atëhere është caktim a quaje si të duash, por jo zgjedhje, o udhëheqës!

Kuptohet, Edvin Beu ka shfryrë e shfryn edhe shumë re të tjera me erë të rënde, po ç’rëndësi ka numërimi?!…

Rëndësi ka që ta marrin vesh të gjithë se janë re të turbullta e të ndotura dhe jo rreze shprese të zgjidhjes me përgjegjësi e sinqeritet të problemeve që po maisen çdo ditë e më shumë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>