Prokuroria e Tiranës ka rihapur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, më 21 janar 2011, në Bulevardin ‘Nënë Tereza’. Hetimet u hapën pas kërkesës së policisë më 20 janar 2021, 10 vite nga protesta e 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 qytetarë.
Policia i ka kërkuar Prokurorisë:
Të bëhet rieksperimentimi për drejtimin e qitjes për vrasjen e shtetasve Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Të bëhet riekspertimi i predhës së gjetur dhe sekuestruar në trupin e Aleks Nikës
Të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gradës në shërbim në datën 21 janar.
Të ripyeten e personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave, si dhe persona dëshmitarë që kanë qenë pranë viktimave, nëse kanë mësuar ndonjë të dhënë të re me interes për hetimin.
Të bëhet rikëqyrja e pamjeve filmike të tubimit të datës 21.01.2011, duke u fokusuar konkretisht në vrasjen e Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Të kërkohet me anë të shkresës zyrtare IPSH Tiranë, nëse ka laborator për ekzaminime kriminalistike në vendet e BE-së ose jashtë saj në gjendje të ekzaminojë predhën e nxjerrë nga trupi i shtetasit Aleks Nika.
Familjarët e Aleks Nikës, njërit prej katër protestuesve të vrarë në protestën e 21 janarit 2011, kanë paditur shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, mw 23 maj 2021.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka kërkuar informacion në lidhje me procesin e hetimeve që është zhvilluar në vend.
Familjarët akuzojnë Shqipërinë për hetime joefektive për zbardhjen e ngjarjes dhe mungesë trasparence.
36 vjeçari Nika nga Lezha, u plagos rëndë dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi, ku u dërgua për kurim.
Çështja e tij ende gjendet nën hetim, pasi prokuroria nuk ka arritur të identifikojë armën nga e cila u qëllua plumbi që i mori jetën.