Dy atentate me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e tetë të tjerëve ndodhën në vend, në dy ditët e fundit.
Më 13 janar, në Shkodër një sasi tritoli ju vendos makinës dhe biznesit së Lulzim Kullës, 43 vjeç, i njohur si një prej “të fortëve” të qytetit. Objekti i atentatit Kulla u plagos, por shpërthimi plagosi dhe gjashtë persona të tjerë, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Lulzim Kulla njihet, që prej vitit 1997, si kreu i një grupi kriminal në Shkodër që i vë gjoba sipërmarrësve. Pak kohë më parë, prokuroria e Shkodrës nisi hetimet dhe për vdekjen nga torturat të një tregtari shkodran. Autori kryesor i dyshuar për këtë vepër penale ishte Lulzim Kulla. Por hetimet për këtë rast u mbyllën dhe vrasja mbeti pa autor.
Lulzim Kulla, po ashtu, i shpëtoi me vetëm 6 muaj burg, dënimit për kultivimin dhe tregtimin e një sasie të madhe kanabis në zonën e Dukagjinit.
Më 14 janar, në Tiranë, Emiljano Boçi, 32 vjeç u ekzekutua në makinën e tij, në orët e vona të mbrëmjes. Një 27 vjeçar, shok i viktimës që ndodhej në makinë, mbeti i plagosur dhe gjendet akualisht në spital.
Emiljano Boçi, i cili njihej dhe me emrat “Roland” apo “Landi”, kishte dalë nga burgu dy vite më parë, i dënuar për vrasje me dashje, e mbetur në tentativë.
Për të dyja rastet, policia ende nuk ka pista të qarta hetimi e të arrestuar, edhe pse të dy të shënjestruarit ishin persona me precendentë penalë, për vepra të rënda si vrasje në tentativë, apo torturim deri në vdekje.
Megjithëse me aktivitet të njohur e të vazhduar kriminal, dy shënjestrat e atenteve, ishin hetuar e dënuar më parë, por ishin liruar nga prokuroria, gjykatat apo administrata e burgjeve para së të kryenin dënimin e plotë.
Nisur nga kjo atentate mafioze dhe rrethanat e tyre, por dhe për shumë vrasje e krime të tjera gjatë muajve të fundit, mund të hamendësohet se në Shqipëri:
– Personat me të shkuar kriminale i rikthehen aktiviteteve kriminale pa asnjë pengesë dhe pa asnjë supervizim nga forcat e sigurisë dhe të rendit publik.
– Policia është krejtësisht e paftë për të zbuluar dhe ndaluar vazhdimin e aktivitetit kriminal të këtyre personave.
– Krimi i organizuar po bëhet më i fuqishëm, dhe më i dhunshëm, duke vënë në rrezik dhe jetën e qytetarëve të tjerë.
– Në shumicën e rasteve, atentatet mafioze kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me trafikun e drogës.