Rilindja e një gazetari

Nga Redaksia
Rilindja e një gazetari

Përpara se të shpërqëndrohej me biznese televizionesh, muzesh e bunkerësh, Ilir Babaramo ishte një gazetar shumë i mirë, me një penë shumë të mprehtë.

Por, sikurse e rrëfeu mjeshtërisht, sot, vetë Babaramo, në Shqipëri është gjithmonë dikush që të josh me një biznes më të mirë, dhe nëse suksesi i këtij biznesi varet nga Kryeministri pena fillon e të trashet.

Ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur tamam, cili është shkaku i “çlirimit” të Babaramos. Natyrisht, diçka nuk po funksiononte më. Ndoshta prishja e partnerit të tij Bollino me sponsorin dhe mentorin e tij Kokëdhima, ndoshta një shpërthim burrërie për atë çka i ndodhi me Kryeministrin në transmetim, ndoshta nostalgji për kohën kur shkruante çfarë mendonte apo thjesht zili për ata që protestuat të dielën, të lirë e pa frikë, tek Parku, por sot Babaramo u kujtua të përdorte penën e tij si një shpatë, e më një goditje këputi dy trupa: Kryeministrin Edi Rama dhe kryeoligarkun Samir Mane.

Dhe me këtë shkrim e rroku si pak kush tjetër temën më të diskutuar të këtyre ditëve: ndërtimi tek Parku i Liqenit është thjesht dhunim i ligjit dhe i rregullit.

Ne i kujtojmë dhe e kundërshtojmë Babaramon, duke i thënë se nuk është ai i pari që u kujtua për ndërtesën 13 katëshe që po ngrihet përballë Fakultetit Ekonomik, në hyrje të Parkut. Ishin qytetarë të lëvizjes NeTirana, që gjatë fushatës denoncuan atë ndërtim. Të njëjtit njerëz, nën emrin e NeShqipërisë u vendosën në krye të protestës tek Parku, ditën e dielë.

Gjithashtu, ishte media jonë, exit.al, e vetmja që e informoi publikun kur u dha leja e dyshimtë e atij pallati, dhe sërish kur filluan punimet e ndërtimit, e përsëri dje për shkeljen e çdo rregulli urbanistik në projektimin e tij.

Nëse Babaramo nuk do të kishte qenë kaq i zënë duke mbrojtur Kryeministrin, do ta kishte vënë re.

Por shkrimi i sotëm i tij tek Shqiptarja.com meriton lëvdatat dhe faljen për heshtjen e deritanishme.

Mirëse u ktheve në lirinë e medias, Ilir, dhe urime! Mos qoftë hera e fundit!

 

Shkrimi i sotëm i Ilir Babaramos mund të lexohet këtu:

Pallati i Zamirit të Bitijes

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>