Dy ditë më parë, gazeta e së majtës “Dita” botoi një dokument shumë domethënës, që rrënonte propagandën e socialistëve për 21 janarin. Sipas saj, Agron Malaj, ish-gardisti i grupit të zjarrit, tani kandidat i rilindjes për bashkinë e Matit, ka qenë tejet i përfshirë në krimin shtetëror të tetë viteve më parë. Ndryshe nga sa pretendoi kryeministri në një konferencë shtypi, se Malaj nuk kishte përgjegjësi ligjore, se nuk qe i përfshirë në krim dhe se ai ka dhënë informata të vlefshme për atë ditë, dokumenti i gazetës fliste për të kundërtën.
Aty ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë që Malaj jo vetëm se qe rreshtuar në anën e gabuar të barrikadës, por ende pa u tharë mirë gjaku i të vrarëve ishte shpërblyer me katër paga mujore, një për çdo viktimë, nga drejtuesi i zinxhirit kriminal. Madje, madje, shpërblimi i tij qe nga më bujarët në atë listë të gjatë.
Po pse njeriu që qëlloi pa iu dridhur syri drejt e mbi trupa, ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, duhej ta shpërblente gardistin e konvertuar në socialist? Për çfarë shërbimi? Se ishte treguar i zellshëm në shpërndarjen e përgjakshme të manifestimit opozitar? Se kishte fshehur gjurmët më pas bashkë me ata që fshinë serverin, zhdukën gëzhojat dhe ndërruan shulat?
A është rastësi që masa e parave që ai mori në dorë është e njëjtë me atë të Ndrea Prendit, Alfred Ahmetcenajt, që gjuajti plot 117 plumba atë ditë, apo e Agim Llupos, që u kap nga kamerat duke qëlluar nga ajo dritarja qorre e kryeministrisë.
Çfarëdo broçkullash justifikuese të nxjerrë nga goja shefi i qeverisë, përgjegjësia e kandidatit të tij për kryebashkiak nuk mund të anashkalohet.
Edhe sikur Malaj të mos ketë mbi supe asnjë faj, edhe sikur për angazhimin e tij të mos meritojë asnjë ditë burg, ai ka përsipër një njollë të madhe morale. Si para edhe pas krimit ai qëndroi në anën e vrasësve. Gjaku i të vrarëve për të u shndërrua në kartmonedha 5 mijë lekëshe.
Do të majftonte vetëm kjo që ai të mos pranohej as si anëtar i thjeshtë në partinë që “mbron” kujtimin e të viktimave, e jo më pastaj të ishte një nga të përzgjedhurit e saj për 61 njësitë administrative vendore.
Dhe këtu problemi e tejkalon fatin personal të një gardisti të shndërruar në rilindas. Sepse rasti i tij është konfirmimi i një rregulli për amnistimin e të gjithë atyre që i qëndruan në krah Berishës pas krimit makabër.
A nuk u bë koalicioni i 1 prillit me Ilir Metën që i quajti viktimat kokëpalarë?
A nuk morën pjesë në qeverinë e parë të rilindjes plot pesë ministra që kishin mbrojtur si të tillë komplotin e grushtit të shtetit?
A nuk është televizioni që bën sot apologjinë e Ramës, ai që vërtetonte tezën se të vrarët ishin qëlluar nga turma?
A nuk gjenden mbrëmjeve në tryezën e kryeministrit të njëjtët oligarkë që e shfrytëzuan fillimin e fundit të Berishës për t’u pasuruar dhe më shumë për veten e tyre?
Në këtë kuptim, as rehabilitimi i Agron Malajt nuk përbën ndonjë surprizë. Ngjitja e tij e ngadaltë në hierarkinë e pushtetit, fillimisht si drejtor i OSSHE-së, pastaj si kryetar i PS-së në rrethin ku do të bëhet kryebashkiak, ka ecur paralel me zhbërjen e ndjeshmërisë ndaj asaj që ndodhi në 2011.
Rasti i tij nuk është thjesht promovimi i një njeriu të pushkës apo të krimit, sipas modeleve të Roshit, Ndokës, Prengës e me radhë. Këtë herë, në zgjedhjet lokale pa garë, PS-ja nuk ka nevojë për të fortë dhe banditë që t’i japin vota.
Prandaj katapultimi i Malajt përbën një rast historik. Ai është një sinjal se ndjeshmëria ndaj krimit politik duhet zbutur; një mesazh se riprodhimi i kloneve berishiste nuk duhet të ngjallë të njëjtën frikë; një paralajmërim se hendeku mes të keqes dhe dënimit të saj nuk ka pse të jetë aq i pakapërcyeshëm sa ç’propagandohej.
Ndryshe, nuk ka sesi shpjegohet që PS-ja të propozojë si model të shoqërisë së sotme një njeri që u shpërblye me para në dorë për krimin e 21 janarit, vetëm nëse do të relativizojë peshën e vrasjeve në emër të pushtetit, vetëm nëse do të rilindë ata që janë të gatshëm ta bëjnë këtë.
Botuar më parë në Lapsi.al