Rilindje katalogu

Nga Rezart Cenaj
Rilindje katalogu

Na rrëshkiti më tepër se gjysma e mandatit duke u marrë me skolastikë rilindjeje. A vazhdon të jetë versioni i ri i Partisë Socialiste i majtë, apo është bërë i djathtë i qendrës? A janë sociale politikat që ka zgjedhur qeveria aktuale? A është ulur varfëria në këtë vend që kur ka ardhur në pushtet e majta e re? A është rritur cilësia e shërbimeve publike?

Megjithatë, nuanca e sfondit është e njohur: përballja mes Ramës të tasit me makarona dhe fasadave shumëngjyrëshe me Ramën perandorak. Ndërsa konkluzioni, akoma më i thjeshtë: ishim përpara një ujku të veshur si qingj.

Sikur kjo mos të ishte mjaftueshëm, ekzistonte edhe hija e rëndë e paraardhësit në kryeministri, që kishte lënë një shije liberale kaotike dhe të përçudnuar; çka i erdhi shumë volitshëm kryeminstrit të ri, që mësoi t’i hidhte fajin mandatuesit të kaluar edhe për motin.

E vërteta është se Rama i fushatës përngjan shumë pak me Ramën kryeministër. Parë në këtë drejtim, duket shumë irrituese poza e tij prej të ofenduari arrogant kur dikush i kujton premtimet që ka bërë dhe i kërkon llogari përse ka devijuar rrugës. Duket e pashmangshme të mendohet se edhe indinjata e tij është e impostuar.

Por nuk ka kuptim të qortohet ndryshimi i tij; ai e ka kthyer në doktrinë identitetin ndryshues, të paktën identitetin publik. Rrënjët e tij populiste, që e largojnë nga demokracia cilësore, kërkojnë një farë kontrate të pashkruar me qytetarin. Kontratë që miratohet sapo dikush, pavarësisht moshës, gjinisë apo arsimimit, nxjerr fjalët “Ah sa bukur u bë kjo [fasada]” apo “Sa mirë e kanë mbushur këtë gropën”.

Në rastin e Ramës, kontrata interpretohet si çek i bardhë. Kërkon që ta besojmë verbërisht. Edhe në rastet kur provat flasin kundër. Por edhe në rastet kur projektet mbi infrastruktura të reja të kushtueshme, ndoshta tërësisht të panevojshme, – vendimi për të cilat është marrë gjatë diskutimeve të vonshme të një darke të kryeministrit shoqëruar me verë të shtrenjtë, – papritur i dëgjon në lajmet kryesore të orës 15.30.

E vërteta është se kryeministri Rama nuk po ia arrin të fshehë dot trajektoren spontane të projekteve të qeverisë së tij nën petkun e rëndë të një programi socialist të majtë. Nuk mund t’i tërhiqet veshi ekipit dhe bashkëqeveritarëve të tij se nuk po arrijnë dot të bëjnë atë çfarë premtuan gjatë fushatës. Sepse, në fakt, ata po bëjnë komplet të kundërtën e asaj që premtuan.

Rama erdhi në pushtet duke premtuar transformimin, biles, në disa raste, edhe revolucionin. Të fitoje me premtime të tilla kërkonte përgatitje të fortë politike dhe dëshpërim qytetar.

Por praktika e tij qeverisëse nuk po tregon një vullnet të tillë.

Vullneti, apo qoftë edhe mungesa e tij, është e vështirë të pikaset. Është më e thjeshtë të identifikosh kufizimet që kornizojnë vullnetin. Si shembull, unë mund të kem vullnetin të fluturoj nga ballkoni im i veshur si Batman, por forca e rëndesës më kufizon.

Sigurisht që, kufizimet mund të modifikohen. Por, Rama pretendoi të modifikonte vullnetin, jo kufizimet. I bëri shqiptarët të fantazonin se, nëse e donin diçka fort, mund t’ia arrinin. Kjo, pavarësisht kufizimeve si klientelizmi i trashëgueshëm nga një qeveri tek tjetra, korrupsioni dhe, në tërësi, mungesa e dëshirës për të lënë diçka mbrapa.

Nuk duhet lënë pa përmendur këtu edhe një farë hakmarrje akademike nga ana e Brukselit kundër shtimit të atyre që, nga divani, me një ndryshim të tonalitetit të rozës dhe pa asnjë përvojë pune, premtuan se do ndryshonin linjën e këtij kombi të vogël në dyert e Europës pa pyetur se çfarë kishte pasur përpara.

Zhytur në pamundësi, rilindja shqiptare ka zgjedhur të mbiaktrojë. Kjo është parë si në qeverisjen qendrore ashtu edhe në atë lokale. Në vend që të merren me detyrat për të cilat janë zgjedhur, se u duken pak gjë apo se u tepron shkathtësia, synojnë lartësimin. Merren me zgjedhjet presidenciale në SH.B.A., politika të brendshme të Britanisë së Madhe, konkluzione mbi funksionimin e BE-së e të tjera.

Në rast se dikush u kujton se, nga pikëpamja e Kushtetutës, çështje të tilla nuk janë temë e punës së qeverisë sonë, menjëherë shpërthen batarja e moralizmit duke na thënë se janë të tjerët, ata që nuk e kanë bërë punën mirë. Me pak fjalë, këta [rilindasit] kanë monopolizuar të mirën.

Sigurisht, pas gjithë kësaj breshërie replikash, realiteti mbetet po i njëjti, i paprekur. Këtë tashmë e kanë mësuar edhe fqinjët e mi të moshuar, të cilët ka ca kohë që e kanë kuptuarë se nuk mund të votojnë dot për futjen në BE apo për presidentin amerikan.

Por, sigurisht, në një botë kaq mediatike sa kjo e jona, të shfaqësh epërsi morale është thelbësore. Një teknikë vetëpërmbushëse që helmon debatin publik dhe, mbi të gjitha, ndikon negativisht në të ardhmen e vendit që duam t’i lëmë fëmijëve tanë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>