Të gjithë epidemiologjistët dhe ekonomistët po shprehen se periudha e rimëkëmbjës së ekonomisë do të jetë e gjatë dhe me pengesa.
Shpresat se ekonomia do të ngrihet menjëherë, e ashtuquajtura rimëkëmbje e formës V, janë shuar.
Edhe pse disa vende po rihapen, njerëzit do të kenë frikë të dalin, të shkojnë në restorante, stadiume, palestra, ndaj të gjitha këto biznese në variantin më të mirë do të punojnë pjesërisht.
Ajo çfarë në këto kohë po merr shumë vemëndje është mundësia e rimëkëmbjes së ekonomisë në formën “W”, skenari i frikshëm kur ekonomia fillon dhe duket mirë por në një fazë të dytë në fund të vitit, ose vitin tjetër bie fort.
“W” mund të shkaktohet nga së pari, hapja e shpejtë e ekonomisë dhe rikthimi i dytë i valës së infeksionit. Nëse vendi hapet shpejt, dhe virusi rikthehet, bizneset duhet të mbyllen sërish, dhe njerëzit do të frikësohen më shumë për të dalë derisa të gjendet një vaksinë.
Së dyti, “W” mund të shkaktohet nga një valë falimentimesh dhe mospagesash të kredive, e cila ka efekt domino: punonjësit nuk punësohen, furnizuesit nuk paguhen, fillon pasiguria se kujt i ka ardhur radha për tu rrëzuar.
“Të pretendosh që bota do të kthehen në normalitet në tre ose 6 muaj është e gabuar. Ekonomia u ngri brenda natës. Ne tani jemi të ngrirë. Me shkrirjen e ekonomisë, ne do të shohim edhe dëmin e pësuar. Përmbytje do të ndodhë”, tha Diane Sëonk, shefja e ekonomisë në Grant Thornton.
Shenjat e para lajmëruese të rënies së ekonomisë kanë filluar të shfaqen. Kompanitë e mëdha të shitjes me pakicë të veshmbathjeve si Macy’s dhe Neiman Marcus po përballen me vështirësi të mëdha financiare, dhe analistët kanë parashikuar falimentimin e tyre.
Çmimi i naftës ka rënë në më pak se 10 dollarë për fuçi duke e dëmtuar sektorin e energjisë, i cili nuk do të mund të marri veten për muaj me radhë. Kompania amerikane Rystad Energy parashikon se mbi 500 kompani amerikane të naftës do të shpallin falimentin në fund të vitit 2021.
Së treti, “W” mund të shkaktohet edhe sepse njerëzit që janë në punë nga frika se mund të humbin punën do të kursejnë. Kjo do të thotë se ata do të shpenzojnë më pak, biznesi do të fitoj më pak, dhe do të investojë më pak.
Edhe nëse ekonomia hapet, restorantet nuk do të jenë në gjendje të paguajnë një rrogë të plotë, ose të marrin në punë aq punonjës se sa kishin, sepse ata nuk e dinë a do të jenë në gjendje të punojnë me kapacitet të plotë.
Amerika po i përjeton që tani radhët e gjata për të marrë një vakt falas. Madje edhe njerëzit që vazhdojnë punën janë të frikësuar se mund ta humbin atë, ose paguhen me gjysëm rroge, duke i bërë ata që të mos shpenzojnë.
Njerëzit që janë në punë kanë frikë se do ta humbin punën, ose do të paguhen më pak dhe ndaj do të kursejnë më shumë. Mosshpenzimi i tyre do të reflektohen në ekonimi, duke e bërë më të vështirë rimëkëmbjen.
Dhe, pikërisht ky është skenari që të gjithë duhet të shmangim, dhe politikbërësit mund ta shmangin këtë skenar.
Përshtatur nga Uashington Post.