Rindërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës: Nano-Berisha-Rama

Rindërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës: Nano-Berisha-Rama

Shqipëria do të përfitojë 35,5 milionë euro për rindërtimin e hekurudhës Tiranë–Durrës 34,5 km e gjatë dhe ndërtimin e segmentit hekurudhor Tiranë–Rinas 7,4 km i gjatë. Ky financim do të bëhet nga Fond i Investimeve për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Europian, fond i krijuar nga BE për mbështetjen e inisiativës për integrimin europian të Ballkanit të nisur nga Kancelarja Merkel tre vjet më parë. Vendimi u bë publik në Samitin e Parisit të mbajtur në fillim të javës.

Financimi nga BE do të mbulojë një pjesë të kostos totale të projektit të hekurudhës, e cila është vlerësuar në €81,5 milionë euro. Projekti do të bashkëfinacohet me një kredi të butë prej €32,9 milionë nga banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe rreth €13 milionë nga buxheti i shtetit.

Investimi do të bëjë të mundur qarkullimin e trenave deri në shpejtësi 120 km në orë.

Projekti është parashikuar të fillojë në mes të vitit 2017 dhe të përfundojë brenda vitit 2019.

Rindërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës u tentua që në vitin 2003. Kur qeveria Nano nënshkroi një kontratë me vlerë rreth $72 milionë me degën greke të kompanisë gjigande General Electric.

Projekti parashikonte elektrifikimin e hekurudhës, rindërtimin e trasesë, modernizimin e sistemit të sinjalizimit, rindërtimin e stacioneve si dhe blerjen e lokomotivave dhe vagonëve.

Kompania General Electric garantonte ndihmën për sigurimin e një kredie tregtare nga Qeveria shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Projekti u kundërshtua fillimisht nga FMN dhe Banka Botërore, që gjykuan se kosto e projektit ishte e madhe për një ekonomi si e Shqipërisë—gati 1,5 për qind e prodhimi të vendit—financimi i tij me kredi tregtare do të dëmtonte gjendjen financiare të qeverisë. Nga ana tjetër, të dy institucionet kritikuan faktin që përzgjedhja e General Elctric ishte bërë pa asnjë procedurë konkuruese, por me tenderim të drejtpërdrejtë.

Me ardhjen në pushtet në vitin 2005, Kryeministri Berisha vendosi anullimin e menjëhershëm dhe të njëanshmëm të kontratës para se ajo të kalonte në Kuvend për ratifikim.

Në vitin 2006 kompania General Electric, pas disa negociatave të pasuksesshme me qeverinë, e padit atë në gjykatën e arbitrazhit në Romë, e cila urdhëroi qeverinë shqiptare të paguajë 20 milionë euro dëmshpërblim ndaj kompanisë General Electric, shumë e cila u pagua e plotë.

Vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar qe kosto e rëndë për buxhetin e shtetit: për të shmangur një projekt të shtrenjtë por që do të përmirësonte infrastrukturën tonë të transportit, qeveria përfundoi dhe pagoi gati 40 për qind të kostos së projektit vetëm si dëmshpërblim për veprimin e anullimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>