Rindërtimi, Rama premton shtëpi të reja brenda qershorit 2020

Rindërtimi, Rama premton shtëpi të reja brenda qershorit 2020

Kryeministri Rama premtoi strehimin në shtëpi të reja brenda qershorit 2020 të banorëve të cilët kanë pasur banesa private.

Pas mbledhjes me Këshillin e Ministrave në Golem, zoti Rama tha se qeveria ka gati planin e rindërtimit:

“Kemi plan solid për të nisur procesin. Objektivi është që brenda pranverës gjithçka të jetë e e nisur dhe brenda 6 mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesa individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re. Ata që janë në apartamente do të vazhdojnë me sistemin e qirasë deri në përfundimin e banesave të reja.”

Pyetur nëse ka ndonjë kritikë për mënyrën se si qeveria dhe ministriat kanë përballuar situatën pas tërmetit deri më tani, kryeministri tha se e vetmja gjë që duhet rregulluar është prezantimi më i mirë i punës që qeveria po bën:

“Një nga gjërat që do të shohim sesi mund të përmirësohet është komunikimi dhe informimi mbi këtë punë. Ne mund të fajësojmë veten për mosgjejtjen e mënyrave të duhura për të përçuar shumë gjëra që bëhen.”

Ndërsa për projektet e qeverisë për vitin 2020, Rama tha se qeveria nuk do të lërë pas dorë vetëm për shkak të rindërtimit projekte të tjera si: aeroportin e Vlorës, rrugën Thumanë-Rrogozhinë  apo zbatimin e ligjeve si ‘anti-KÇK’:

“Në fillim të janarit pas Vitit të Ri do të kalojmë aktin kundër krimit të organizuar dhe KÇK dhe do të vijojmë punën me paktin e Universitetit.Në pranverë do të jemi në kantier për Kampin Universitar. Kemi nisur procedurën për aeroportin e Vlorës. Shumë shpejt do shpallet procedura për parkun në Divjakë, rrugën e re që do të ndërtohet nga e para Thumanë-Rrogozhinë. 

Shpejt do shpallet procedura dhe për tunelin e Llogarasë. Pastaj dhe vepra të tjera si Shëngjin-Velipoja. Procesi i legalizimeve. Shpejt kalojmë në parlament ligjin e ri për tokën. Kemi një tjetër prioritet të rëndësishëm shërbimet online, do të hyjë në proces konkretizimi që në janar me një numër shërbimesh. Qytetarët do të bëjnë aplikimet online. Në qershor do të jetë vala e dytë dhe në 2020 do të mbyllim të gjitha sportelet. Së fundi shengeni rajonal, një tjetër prioritet i rëndësishëm.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>