Turqia do të ndërtojë në Laç dhe në Thumanë, 500 shtëpi banimi, qendër biznesi, shkollën publike dhe godinën e Bashkisë së Thumanës, në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kështu u shpreh ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj pas takimit me ministrin turk të Ndërtimit Murat Kurum.
Ministri Ahmetaj sqaroi se hartimi i projektit të plotë pritet të përfundojë rreth muajit korrik.
Pas premtimit të presidentit Erdogan, me 8 dhjetor 2019, për rindërtimin e 500 banesave në Laç e Thumanë, dy delagacione turke kanë vizituar Shqipërinë.
Në mes të dhjetor një delegacion turk me përfaqësues të Entit Turk të Banesave dhe Ministrisë së Ndërtimit e të Mjedisit përcaktoi zonat e rindërtimit në Laç.
Ndërsa sot, Ministri turk i Ndërtimit takoi Ahmetaj për të diskutuar mbi projektin se si do të ndërtohet zona e re në Laç dhe godina e bashkisë së Thumanës.
“Sot diskutuam më në detaje për projektin e ndërtimit të shtëpive i cili shkon përtej ndërtimit thjesht të banesave për strehim, por merr formën e një poli të ri zhvillimi urbano-ekonomik”, u shpreh Ahmetaj.
Në fillim të dhjetorit, Murat Ahmet Yörük, Ambasador i Turqisë në Tiranë tha se hartimi i projektit dhe ndërtimi i tij do të bëhet nga vetë shteti turk.