Prej të hënës 6 korrik, në Tirana ka nisur punën transporti publik.
Pas marrëveshjes së arritur me bashkinë e Tiranës për të ndryshuar disa nga protokollet e punës dhe për të marrës një pagë të dytë lufte, kompanitë e transportit kanë rifilluar shërbimin.
Për muajin korrik, qytetarët nuk do të mund të blejnë abone, ndaj do të duhet të paguajnë biletën prej 40 lekësh sa herë që udhëtojnë.
Respektimi i protokolleve nga ana e pasagjerëve do të monitorohet nga policia bashkiake.
Me ndryshimin e protokolleve, në rast shkeljeje, përgjegjësia bie mbi pasagjerin.
Rregullat që do të duhet të ndiqen nga kompanitë dhe udhëtarët janë këto:
– Në automjete do të lejohen të udhëtojnë me 70 për qind të kapacitetit të udhëtarëve.
– Ulja e udhëtarëve do të jetë në mënyrë diagonale.
– Çdo pasagjer duhet të jetë i pajisur me maskë dhe doreza, si në vendin e pritjes së autobusit, ashtu dhe brenda tij.
– Pasagjerët duhet të mbajnë distancë 1 metër nga njëri-tjetri brenda në autobus.
– Drejtuesi i mjetit dhe fatorinoja duhet të të jenë të pajisur me maska dhe doreza.
– Në autobuzë dhe mjete të tjera të transportit duhet të ketë dezinfektantë dhe duhet të jenë të shenjuara vendet ku lejohen të ulen udhëtarët.
– Gjatë udhëtimit, ajrimi i autobuzëve dhe mjeteve të tjera do të bëhet përmes dritareve dhe jo kondicionerit.
– Në rast të shkeljes së rregullave, çdo pasagjer do të mbajë përgjegjësi personale.
– Në çdo mjet do të ketë postera me udhëzimet e OBSH-së për rregullat e higjienës dhe distancimit social.