Rinumërimi në Lezhë, KQZ nuk hap materialet zgjedhore

Rinumërimi në Lezhë, KQZ nuk hap materialet zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinumëroi sot 11 kuti votimi në qarkun e Lezhës, ku u gjetën parregullsi në dy prej tyre.

KQZ vendosi që të bëjë vetëm numërim të votave dhe rakordimin e tyre me atë ç’ka shkruhej në proces-verbale, dhe nuk pranoi të hapë materialet zgjedhore për të bërë verifikimin e votuesve.

Në njërën prej kutive me probleme, një votë për kandidatin e Partisë Konservatore Albania Eduard Ndocaj ishte numëruar si votë për kandidatin socialist Pjerin Ndreu, ndërsa në një kuti tjetër, 3 vota për Ndocajn ishin numëruar si vota për kandidatin e Bindjes Demokratike, Salvador Kacaj.

Sipas KQZ-së, në të gjitha kutitë e votimit, numri total i votave brenda në kuti ishte i njëjtë me të dhënat e shkruara në proces-verbalet shoqëruese.

Në përfundim të numërimit, KQZ, me shumicë votash, vendosi të rrëzojë kërkesën e Partisë Konservatore Albania për pavlefshmëri të procesit në këto qendra.

Kryetari i KQZ-së Klement Zguri kërkoi që të bëhej verifikimi i listave të votuesve me numrin e votave në secilën kuti, dhe jo thjeshtë kontrolli me proces verbalet. Për këtë duhej që të hapeshin të gjitha kutitë ku ndodhen materialet zgjedhore, dhe jo thjeshtë kutitë me vota. Por kjo kërkesë nuk u pranua nga anëtarët e tjerë të KQZ-së.

Zoti Zguri tha se ankimimet e bëra vetëm për rakordimin e numrit të votave me numrin e shkruar në process-verbal nga komisionerët janë farsë:

“Mesa duket listat e zgjedhësve qenkan mollë e ndaluar në këto zgjedhje. Subjektet zgjedhore të drejtën ankimore më shumë e kanë ushtruar nëpërmjet një hileje se në sa në formë sinqeriteti.”

Ndërsa nënkryetari i KQZ-së Denar Biba pas rinumërimit të votave, tha se “disa politikanë dhe shoqëria donin një Big Brother dhe doli që gjithçka është në rregull”.

Deri më tani, këto janë të vetmet kuti që ka pranuar të rinumërojë KQZ-ja. Më herët ajo rrëzoi kërkesën e Bindjes Demokratike për të hapur kutitë në 41 prej bashkive.

Ndërkohë Partia Demokratike dhe aleatët e saj i kanë kërkuar KQZ-së materialet zgjedhore dhe dokumentet për çdo kuti votimi. KQZ ende nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e opozitës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>