KAS shqyrtoi të hënën 24 kutitë e votimit të qarkut Berat, pasi kishte pranuar më parë provat e dorëzuara nga LSI për parregullsi.
Qendrat e votimit për të cilat LSI ka kërkuar shpallje të pavlefshmërisë së zgjedhjeve ishin: QV 3446, QV 3431, QV 3445, QV 3318, QV 3275, QV 3270, QV 3287, QV 3307, QV 3472, QV 3473, QV 3482, QV 3325, QV 3456, QV 3440, QV 3330, QV 3220, QV 3433, QV 3328, QV 3429/1, QV 3518, QV 351, QV 3501, QV 3416.
Qëllimi ishte kontrolli i materialeve zgjedhore si procesverbalet e votimit, raportin e pajisjes së identifikimit elektronik dhe regjistrin e zgjedhësve me nënshkrimet, për të parë nëse ka patur shkelje.
Gjatë shqyrtimit u evidentuan parregullsitë që vijojnë:
– në QV 3275, KZAZ 65, rezultoi një tentativë për votim të dyfishtë dhe mungon raporti i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik;
– në QV 3431, KZAZ 66, mungonte raporti i i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik;
– në QV 3446, KZAZ 66, nuk u gjend në kuti procesverbali për kalimin në proces të identifikimit manual;
– në Qv 3445, KZAZ 66, mungonte raporti i hapjes dhe i mbylljes së procesit së pajisjes së identifikimit elektronik.
Ndërkohë, nga kryqëzimi biometrik i të dhënave u identifikua një rast i dyshuar për votim të dyfishtë në qëndra të ndryshme votimi.
Po ashtu u gjendën edhe 19 shenja unike gishtërinjsh, të përdorura si nënshkrim biometrik për 53 zgjedhësve.
Përse u kërkua pavlefshmëria e zgjedhjeve në qarkun Berat?
PD dhe LSI i kërkuan Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve shpallje të pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Beratit.
LSI paraqiti prova për parregullsi në procesin e votimit e numërimit sipas zonave zgjedhore, në përputhje me kriteret e ligjit.
Ajo e humbi mandatin në Berat për 77 vota.
Ndërkohë që, PD akuzoi Bashkinë e Beratit, të drejtuar nga socialistët se përmes vendimeve të marra gjatë muajit të zgjdhjeve ka deformuar votën e qytetarëve, por pa iu referuar konkretisht shkeljeve të konstatuara në zonat zgjedhore.
PD kërkoi marrjen e provave shtesë nga SPAK për të vërtetuar një sërë akuzash, mes të cilave:
– punësimet e reja në administratë për efekt të votës;
– vjedhjen masive të votave;
– që një kandidat socialist ka fituar prokurime publike 4 muaj para zgjedhjeve dhe i ka përdorur fitimet për blerje votash;
– përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve, marr shkas nga rrjedhja e databazës së PS-së në Tiranë, etj.
Kjo kërkesë nuk u pranua nga KAS.
Përfaqësuesi për çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso akuzoi Komisionin e Ankimeve e Sanksioneve se nuk ka vullnetin për të kryer hetim të plotë në zgjedhjet në Berat.
Siç e kemi shpjeguar më parë, përsëritja e zgjedhjeve mund të bëhet vetëm nëse kërkuesi—një subjekt zgjedhor —sjellin prova që vertetojnë se një subjekt tjetër zgjedhor ka marrë më shumë mandate nga sa i takojnë, duke përdorur metoda të paligjshme.
KAS njoftoi se vendimi për përsëritje të zgjedhjeve në Berat do të merret të martën, 18 maj.