Rishikimi i zonave të mbrojtura i rihap rrugë ndërtimit të HEC-eve të Kalivacit e Pocemit në Vjosë

Nga Artan Rama
Rishikimi i zonave të mbrojtura i rihap rrugë ndërtimit të HEC-eve të Kalivacit e Pocemit në Vjosë

Në shtator 2020, Edi Rama shkruajti në Twitter se hidrocentralet mbi Vjosë nuk do të ndërtohen. Tre muaj më pas, në 28 dhjetor 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) që kryesohet prej tij, miratoi kufijtë e rinj të zonave të mbrojtura.

Mbledhja e KKT-s u mbajt e fshehtë. Njoftimi në faqen e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) u publikua një ditë më pas, kur mbledhja kishte përfunduar. Informacioni i servirur tregonte vetëm rendin e mbledhjes, por jo përmbajtjen e vendimeve të marra. Ndonëse afati ligjor për zbardhjen e këtyre të fundit ka kaluar, publikimi, deri tani, mbetet ende një sekret.

Por hartat e dorëzuara në KKT, të siguruara nga Porta Vendore prej burimeve që zotërojnë informacionin e saktë teknik pranë agjencive planifikuese të vendit, zbulojnë se shtrati i Vjosës mbi të cilin parashikohet të ndërtohen hidrocentralet aq shumë të diskutueshme, të Poçemit dhe të Kalivaçit, ka mbetur jashtë mbrojtjes.

Një territori tjetër, përgjatë kufirit jugor të Rezervatit të Karaburunit, pjesë e zonës së mbrojtur, iu hoq statusi i mbrojtjes.

Vlerësimet e para pas këqyrjes, dëshmojnë se një pjesë e territoreve është “dorëzuar” përpara presionit të zhvillimit, duke vënë në diskutim përputhshmërinë e vlerësimit me mekanizmat mbrojtës të zonave të mbrojtura.

Konkretisht, në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, kufijtë e propozuar paraqesin një zgjerim përgjatë shtratit të Vjosës që përfundon pranë Poçemit, por pa mbërritur në koordinatat gjeografike mbi të cilat parashikohet të ndërtohet hidrocentrali i Poçemit.

Screen Shot at PM

Më tej, rizonimi pranë Lagunës së Nartës lë jashtë ullishtat në lindje të Kompleksit, duke e zbritur kufirin në afërsi të rrugës automobilistike.

Screen Shot at PM

Rrjedha e Sipërme e Vjosës, siç Porta kishte njoftuar më herët, fiton statusin “Peizazh i Mbrojtur”. Kufiri përfshin shtratin e Vjosës dhe një zonë të kursyer përgjatë të gjitha brigjeve, me kufij, prej Çarshovës në lindje dhe diku pranë Drinosit në Gjirokastër, në jug. Më pas, krahët bashkohen në Tepelenë dhe përfundojnë në Memaliaj, por shumë larg koordinatave gjeografike mbi të cilat parashikohet të ndërtohet hidrocentrali i Kalivaçit.

EkoAlbania, organizata më e spikatur në mbrojtjen e lumenjve në Shqipëri, veçanërisht të Vjosës nga digat, kishte propozuar nën statusin mbrojtës të parkut kombëtar, shpalljen totale të shtratit, së bashku me Rrjedhën Qendrore të lumit. Sipas kësaj organizate, përjashtimi i hidrocentralit të Poçemit dhe të Kalivaçit nga shpallja do të shkatërronte integritetin natyror të çfarëdo lloj parku të mundshëm lumor që do të miratohej, duke e bërë të pavlefshëm atë.

Screen Shot at PM

Në Jug të Karaburunit, në kufi me rezidencën private “Green Coast”, i është hequr statusi i mbrojtjes dhjetëra hektarëve, brenda së cilave ndodhet edhe venddepozitimi i dherave të kompanisë “Green Coast”, duke konfirmuar përfundimisht atë çka Porta raportoi verën e shkuar, se e ardhmja e këtij habitati të mirëfilltë natyror, më një larmi biologjike të lartë, një konservim shumëshekullor, ishte paracaktuar, fillimisht me një shkelje, e më pas duke e legjitimuar atë, në favor të një kompanie që vazhdon të ndërtojë rezidencën e saj private.

Screen Shot at PM

Procesi i rizonimit, operacioni më i rëndësishëm i administratës së zonave të mbrojtura qysh nga themelimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) në vitin 2015, nisi rreth një vit e gjysmë më parë. Ndonëse diskutimet mes grupeve dhe ekspertëve të mjedisit, kaluan një numër dëgjesash publike, hartat përfundimtare, ato çka përbënin edhe produktin më me vlerë të procesit, pikërisht këto, të cilat vetëm pak ditë më parë u dorëzuan në KKT, nuk u bënë të njohura kurrë. Ende tani, autoritetet po e vonojnë shpalljen, ndonëse disa gjëra tashmë janë mësuar.

Kështu, me twitter-in e tij të shtatorit, për mosndërtimin e hidrocentraleve mbi Vjosë, kryeministri ka pohuar një të pavërtetë.  Më tej, akti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), për refuzimin e kërkesës së kompanisë “Ayen Alb” për të ngritur digën e hidrocentralin të Kalivaçit, përmes anulimit të Deklaratës Mjedisore, ka fuqi të përkohshme dhe nuk e privon kompaninë nga dorëzimi i një kërkese të re, e cila, sidoqoftë, mbetet një çështje kohe.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka propozuar dhe KKT-ja ka vendosur përfundimisht, të lërë jashtë mbrojtjes Vjosën, pikërisht aty ku hidrocentralet janë lejuar të projektohen, në Rrjedhën Qendrore të lumit, duke mbrojtur rrjedhën tjetër të saj, e provuar shkencërisht, si më pak e rëndësishme.

Territore të tjera janë çliruar prej mbrojtjes duke i hapur rrugë një zhvillimit të mundshëm intensiv.

Duket se AKZM-ja i është “përulur” një realiteti, ndryshimi i të cilit ka qenë i pamundur prej saj; natyrisht që nuk e krijoi, por që shpesh ka dështuar ta ndalojë.

Përgjatë dy dekadave të fundit, zonat e mbrojtura kanë qenë pjesë e një konflikti të ashpër mes konservimit dhe përpjekjes për zhvillim, një konflikt, i cili do të vazhdojë më tej, me më shumë përplasje, përpjekje dhe, si gjithmonë, me shumë dilema.

Por njërën është mirë ta ndajmë qysh tani: çfarë është e rëndësishme, të ripërtërijmë atë ç’ka humbëm, për shkak se nuk arritëm që ta mbrojmë, apo të forcojmë administratën e zonave të mbrojtura për të mbrojtur kufijtë e rinj?


Ky artikull u publikua më parë tek PortaVendore.al.

Publikuar në Exit News me lejen e autorit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>