Rita Ora, shtëpi të re për një familje pas tërmetit

Nga Exit News
Rita Ora, shtëpi të re për një familje pas tërmetit

Familja Sala në fshatin Pinar të Tiranës gëzoi sot shtëpinë e re të ndërtuar falë mbështetjes së këngëtares Rita Ora, e cila mori përsipër shpenzimet.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe Amantia, kushërira e këngëtares, morën pjesë në momentin e hyrjes në shtëpinë e re, moment i cili u përcoll live në Facebook-un e kryebashkiakut.

Familjarët falenderuan këngëtaren Rita Ora dhe Bashkinë. Një nga anëtaret e familjes, Edlira Sala, u shpreh:

“S’e kisha menduar ndonjëherë në jetën time që një këngëtare do vinte të më bënte shtëpinë këtu. E falenderoj shumë madje, që e bëri këtë për familjen time”.

Familja Sala ka 6 anëtarë. Shtëpia e tyre e vjetër u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Pas tërmetit Kryebashkiaku Veliaj bëri apel për solidarizim. Ai u kërkoi të gjithë personave që kanë mundësi të ndihmojnë në rindërtimin e shtëpive.

Apelit iu përgjigj më 28 nëntor Rita Ora, e cila përmes një postimi në Instagram tha:

“[…] bashkë me kryebashkiakun Veliaj kemi zgjedhur një familje për t’i mbështetur rindërtimin e shtëpisë pas tërmeteve shkatërrimtare që goditi Shqipërinë dhe unë personalisht direkt do t’i ndihmojë këto familje me sa të mundem.

[…] familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala, dhe do ta ndjek ecurinë e kësaj nisme dhe për shumë familje të tjera që kanë nevojë për ndihmë.”

Prej 28 nëntorit këngëtarja e mirënjohur Rita Ora nuk e ka hequr nga faqja e saj Instagram linkun e llogarive bankare për grumbullimin e fondeve.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe 900 të plagosur, dëmtoi rreth 8 mijë ndërtesa dhe la mijëra njerëz të pastreha në qarkun e Durrësit, Lezhës dhe Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>