Roja bregdetare e Durrësit shpëton 18 klandestinë, mes tyre 1 fëmijë

Nga Exit News
Roja bregdetare e Durrësit shpëton 18 klandestinë, mes tyre 1 fëmijë

Roja Bregdetare e Durrësit dhe Guardia Di Finanza kanë mundur të shpëtojnë mëngjesin e sotëm rreth 18 klandestinë, të cilët po përpiqeshin të shkonin me skaf drejt Italisë.

Top-Channel raportoi se skafi drejtohej nga Roland Cenko, nga Vlora. Rreth orës 1:00 pas mesnate, 12 milje larg Kepit të Lagjit (Kavajë), në det të trazuar, ai ka hasur vështirësi pasi ka konstatuar problem në motor. Për këtë ka kërkuar menjëherë ndihmë.

Roja bregdetare ka ndërhyrë dhe pas disa orësh kërkim së bashku me njësi të Guardia Di Finanzas të ardhura nga Radhima ka mundur t’i nxjerrë në breg. Rreth orës 4:30 ata janë dërguar në portin e Durrësit.

BalkanWeb raportoi se në skaf kishte sirianë dhe irakenë. Mes tyre kishte 5 gra dhe një fëmijë. Ndërsa OraNews, që transmetoi edhe pamje nga operacioni i shpëtimit, tha se klandestinët dyshohet se janë strehuar diku në afërsi të bregdetit disa ditë me parë në pritje të skafit që do t’i dërgonte në Itali.

Policia ka shoqëruar skafistin Roland Cenko për ta marrë në pyetje me dyshimet për trafik qëniesh njerëzore.

Prej vitesh tashmë, Shqipëria është bërë një pikë tranziti për kalimin në mënyrë të paligjshme të emigrantëve nga Iraku, Siria etj, drejt vendeve të BE-së. Një muaj më parë policia kapi 27 klandestinë irakenë.

Ata drejtoheshin nga një shtetas shqiptar, nga Saranda, i cili i kishte premtuar kalimin përmes Shqipërisë për të shkuar më pas në vendet e BE-së.

Për të pasur kontroll më të mirë të pikave kufitare shqiptare, BE ka sjellë në vend rreth 50 oficerë të Frontex-it, Agjencisë Europiane Kufitare dhe Rojeve Bregdetare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>