Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin është kritikuar shpesh në publik për qendrime të njëanshme në favor të qeverisë. Një vështrim sipërfaqësor i pohimeve të saj publike të bëra sot gjatë Konferencës për “Forca e Veprimit të Ligjit” duket se e vërteton këtë dyshim.
Për reformat e kryera nga qeveria Rama
Edi Rama, prill 2018:
Europa nuk bën dhurata dhe Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh dhe njeh vetëm meritat. Rekomandimi është njohja e meritave tona në fushën e reformave dhe me luftë të vërtetë kundër armiqëve të shoqërisë dhe shtetit, krimit dhe korrupsionit.
Romana Vlahutin, 5 korrik 2018:
Katër vite më parë nisi reforma në drejtësi jo nga zero, por edhe më poshtë se aq. Rruga është e mbarë. Shqipëria ka arritur të bëhet model reformash të guximshme dhe shembull për rajonin”, deklaroi sot Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.
Për luftën ndaj krimit të organizuar
Edi Rama, 5 korrik 2018:
Është me rëndësi të mos harrohet sa herë që diskutojmë për krimin e organizuar, kriminalitetin, në tërësi për paprekshmërinë dhe ndëshkueshmërinë se bëhet fjalë për një problematikë sa komplekse aq edhe të lidhur me kompleksitetin e veprimeve mes institucioneve ligjzbatuese.
Romana Vlahutin, 5 korrik 2018:
Çështja nuk është nëse ekziston apo jo krimi i organizuar, por a janë institucionet të afta ta shkatërrojnë atë. Mirëqeverisja është kusht themelor dhe i panegociueshëm në këtë luftë. Duhet të jemi të qartë që krimi i organizuar nuk mund të jetë më i fortë sesa shteti. Asgjë s’mund të jetë më e fortë sesa institucionet. Tolerancë zero ndaj krimit.
Për perceptimin e krimit shqiptar në vendet e BE-së
Edi Rama, 26 gusht 2017:
Unë rrefuzoj të pranoj shënjestrimin e shqiptarëve, qofshin ata azilkërkues, apo që kryejnë krime në zonën e BE-së, si arsye për të treguar me gisht Shqipërinë. Kriminelët janë kriminelë, nuk ka flamur, nuk ka kombësi, ka thjesht raport me ligjin. Unë e refuzoj me forcë çdo përpjekje politike e mediatike në vendet e BE-së për konsum të brendshëm, për të treguar me gisht krimet shqiptare apo ballkanike.
Romana Vlahutin, 5 korrik 2018:
Nëse ka një gjë që më mërzit është kur dëgjoj se perceptimi i Shqipërisë jashtë është pasqyrimi i krimeve të personave me origjinë apo nënshtetësi shqiptare. Por unë kam takuar njerëz punëtorë dhe të mirë dhe nuk është e drejtë që ata të vendosen në një kontekst të tillë prej atyre që turpërojnë familjen e tyre. Shteti shqiptar nuk është përgjegjës për kriminelët me nënshtetësi shqiptare në Europë.
Për arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit
Edi Rama, 5 korrik 2018:
Sot lufta kundër krimit është një punë e përditshëm e policisë. Sot krimi i organizuar është më i dobët se katër vjet më parë, u kemi sekuestruar miliona euro pasuri.
Romana Vlahutin, 5 korrik 2018:
Arrestimi i grupeve të organizuara, lufta kundër kanabisit, sekuestrimi i aseteve kriminale kanë qenë disa nga operacionet më të suksesshme të policisë.