Pak muaj përpara largimit të saj nga detyra si Ambasadore e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin ka vlerësuar dhe përgëzuar Qeverinë Rama për reformat e marra.
Ndonëse Strategjia për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor tregonte qartë shqetësimin për situatën politike, ekonomike dhe shoqërore në gjashtë vendet e Ballkanit dhe kërkonte me çdo kusht reforma konkrete në të gjitha fushat, Ambasadorja Vlahutin përgëzoi qeverinë për atë që ajo gjithnjë e ka paraqitur si të vetmin kusht për hapjen e negociatave: reformën në drejtësi.
Në një intervistë për Deutsche Wellen, Zonja Vlahutin deklaroi:
“Është e qartë që Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme me miratimin konsensual të amendamenteve kushtetuese për reformën e Sistemit të Drejtësisë, miratimin e mëvonshëm të ligjeve të shumta lidhur me këtë reformë dhe fillimin e funksionimit të institucioneve të reja, duke filluar me ato që janë përgjegjëse për vettingun.
Është shumë herët për të bërë një vlerësim të duhur, por duke parë ritmin e zakonshëm të reformës, Shqipëria ka bërë për tre vjet, diçka që në rrethana të tjera mund të kishte marrë një dekadë ose më shumë.”
Edhe pse institucionet e parashikuara nga reforma në drejtësi ende nuk janë formuar,vetting ende nuk ka nisur dhe kryeprokurorja Marku u zgjodh në shkelje të Kushtetutës e pa vetting, është mëse e kuptueshme se Romana Vlahutin, pas përfshirjes personale dhe ndërhyrjes si asnjë herë më parë në procesin e miratimit konsensual të reformës në drejtësi, do ta mbrojë dhe reklamojë atë si një reformë historike të vendit. Kjo reformë përbën ndoshta arritjen më të madhe në jetëshkrimin e Vlahutin.
Ajo që e bën intervistën e Romana Vlahutin edhe më qesharake e të duket vetëm si një reklamë e vetvetes, si të jetë duke i mbushur mendjen institucioneve evropiane se ajo e meriton një post tjetër të rëndësishëm, është deklarata e saj lidhur me luftën kundër kanabisit:
“Të gjitha të dhënat tregojnë se kultivimi i kanabisit ka qenë për dekada të tëra një problem në Shqipëri. Ne i vumë në dukje qeverisë nevojën për një plan të menjëhershëm, vendimtar dhe të qëndrueshëm për çrrënjosjen e plotë të kanabisit, një herë e përgjithmonë. […] Rezultatet: në vitin 2017 ka një rënie dramatike të numrit të plantacioneve të kanabisit dhe ne po presim të shohim, këtë pranverë, paketën tjetër të të dhënave nga fluturimet mbikqyrëse, (të kryera nga Guardia di Finanza).
Por nuk jemi naivë dhe e dimë që rrjetet kriminale nuk heqin dorë. Prandaj, kemi punuar shumë me institucionet përgjegjëse për të bërë një ristrukturim të fuqishëm të forcës policore […]”
Ambasadorja Vlahutin, gjatë gjithë këtyre viteve, e ka mohuar dhjetëra herë që lufta kundër krimit dhe drogës të jetë kusht për hapjen e negociata. Vlahutin ka mbështetur gjithnjë retorikën dhe propagandën e Qeverisë Rama se kushti i vetëm i hapjes së negociatave me BE-në është reforma në drejtësi, e veçanërisht ligji i vettingut.
“Me qëllim që të hapen negociatat, është e rëndësishme që të kalohet ligji i vetingut”, u shpreh zonja Vlahutin në dhjetor 2016.
Ambasadorja, ndoshta e detyruar nga presioni mediatik që gjithnjë ka folur për “pesë prioritetet kyçe” të vëna nga BE, mes tyre dhe lufta ndaj krimit e drogës, e pranoi këtë të fundit si kusht vetëm në shtator 2017:
“Për çeljen e negociatave muajt në vijim do të jenë shumë të rëndësishëm. Mendoj se është e qartë për të gjithë se çfarë lipset që të ndodhë për sa i përket pesë prioriteteve kyçe, por në veçanti në lidhje me të gjitha aspektet e sundimit të ligjit e në veçanti me luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë këtu asgjësimin e kultivimit dhe tregtisë së kanabisit.”
Ndaj duket e pavend që Zonja Vlahutin të përdorë “luftën kundër kanabisit”, që e ka mohuar 4 vite rresht, si arritje të saj personale, vetëm për shkak të frikës se pas Shqipërisë, karrierra e saj si diplomate me shumë gjasa do të përfundojë.