Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin deklaroi sot se ndryshimet e Kodit Penal në nenin 491 janë bërë në përputhje me standardet evropiane.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zonja Vlahutin u shpreh:
“Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës.
Kjo masë është në përputhje me standardet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian.
Kodi garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit.
Ka patur variante të ndryshme rreth Nenit 491 (f) të Kodit të Procedurës Penale, që janë diskutuar nga Grupi i Punës për Rishikimin e Kodit të Procedurës Penale – pjesë e të cilit ka qenë edhe Euralius – deri në miratimin e ndryshimeve të Kodit më 30 mars 2017.
Thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve, përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar të Nenit 491 (f) të Kodit.”
Ndryshimet në kodin penal të bëra në mars 2017, u rikthyen sërish në diskursin politik pasi Partia Demokratike pretendon se ministri Xhafaj ka ndryshuar kodin për të shpëtuar vëllain e tij nga ekstradimi në Itali.
Kujtojmë se Agron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafajt, është dënuar në Itali me 7 vjet e dy muaj burg por nuk ka kryer asnjë ditë dënimi pasi është arratisur nga Italia dhe Shqipëria asnjëherë nuk e ka ekstraduar atë në Itali.