Rrëfimi i një ‘peshku të madh’ nga rrjeta e drejtësisë së reformuar

Nga Dritan Shano
Rrëfimi i një ‘peshku të madh’ nga rrjeta e drejtësisë së reformuar

Nga Rrëfim në Rrëfenjë

Rreshtat e mëposhtme i kam shkruar në 13 janar 2016 nën titullin “Rrëfimi”. Ishin dyshimi im se drejtësia nuk do mund të ndodhte ndër shqiptarë, përmes bekimit nga 140 vetë, një pjesë e mirë e të cilëve duhet të ishin në burg për krime ordinere, një pjesë për krim të organizuar, korrupsion dhe vjedhje, dhe pjesa tjetër të fshihej maleve për Shqipërinë e përçarë dhe të përçudnuar që kishin prodhuar përmes pushtetit të tyre.

Reforma në drejtësi u miratua unanimisht 6 muaj më vonë nga po këta njerëz. Qysh nga ai moment e deri tani, institucionet e drejtësisë pushuan së ekzistuari. Nuk ka më Gjykatë Kushtetuese! Nuk ka më Gjykatë të Lartë! Shqiptarët nuk ka kush t’i mbrojë më nga Qeveria e tyre.

Drejtësia jepet në konferenca për shtyp të qeverisë dhe partive, apo përmes ndonjë tuiteri. Qeveria tjetërson prona nga publike në private dhe anasjelltas me ligje të posaçme. Vendi u mboll i gjithi me drogë dhe ekonomia është në prag të recesionit. Nëse atëherë e kam quajtur projektin 1 miliard përmes PPP-ve si rrezikun e madh të ekonomisë shqiptare, sot edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar janë kundër tyre. Jemi të fundit në rajon për çdo parametër të ekonomisë dhe zhvillimit. Shqiptarët këto kohë u bënë azilantët kryesorë pas sirianëve në Europë.

Rilindja, që prej 2013 e eliminoi krejtësisht sistemin politik dhe e zëvendësoi me Associazione Mafiosa a Delinquere. Ky është modeli që ëndërron mafia kudo në botë, do të shprehej një prokuror italian. Nëse, edhe pas daljes së përgjimeve për manipulimin e zgjedhjeve dhe caktimin e deputetëve nga organizata kriminale, kishte njerëz që prapë e justifikonin këtë nga inati prej lufte klasash me opozitën, votimet njëpartiake të 30 qershorit zhdukën çdo dyshim për natyrën oligarkike të pushtetit në Shqipërinë e sotme.

Mazhoranca e sotme e quan këtë një sukses, një gjendje normale dhe as nuk shfaq më të voglën shenjë reflektimi. Për këtë arsye, nëse më përpara iknin hallexhinjtë, tani ikin edhe ata që janë mirë ekonomikisht. Ky eksod bën gjithnjë e më të qartë se shqiptarët i pranojnë në Europë, por jo klasën e tyre politike, jo qeverinë e tyre. Kjo e fundit, pret që t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE dhe ta përdorë këtë si argument për të dalë e larë për sa më sipër.

Rrëfimi

“Ç’mjerim është zgjuarsia që përdoret për të shfajësuar dhe qetësuar ndërgjegjen!”
Ignazio Silone

“Zotërinj të trupit gjykues,

Nuk e di si ndodhi kjo. Si u prishën punët. Se i kishim terezitur aq mirë. Ndoshta ishte për shkak të insistimit të madh të Amerikanëve. Por sa para bën. Tani jam këtu. Dhe më duhet të zbraz barkun.

Çfarë thuhet vazhdimisht për mua është e vërtetë. Nuk kam ndërmend të debatoj apo diskutoj faktet e thjeshta. Sepse nuk do mjaftonte për të mbuluar përmasën e zullumit tim. Nderi kërkon më shumë se thjesht ta pranoj atë, prandaj po ofroj rrëfimin e të gjithë të vërtetës.

Për më shumë kohë se ç’duhet nuk kam qenë në gjendje të pranoj hipokrizinë time. Kam injoruar paburrërinë time. Jam fshehur volitshëm pas pozitës e prezencës sime, sa në qeverisje e aq në parlament apo kund tjetër. Prezenca ka qenë herë reale dhe herë e kam bërë të duket si kompromis politik, duke e shitur këtë sikur ishte për të mirën tuaj.

Dhe për çfarë? Për të grumbulluar pasuri dhe mbajtur pozitat, pas të cilave shumica e njerëzve kapen me thonj.

Në fakt, deri sot nuk më kishte shkuar mendja të bëja ndonjë hap, le më dy a tre, mbrapa. Vetëm përpara. Gjithmonë jam larë e shpëlarë në hallin e njerëzve. Me qetësi. Më shumë për të ruajtur paprekshmërinë personale dhe të pasurisë dhe, pse jo, edhe për ta shtuar atë.

Pra, sot qëndroj përpara jush i dënuar nga padrejtësitë e mia.

Për çfarë po flas? Për kancerin e korrupsionit dhe padrejtësisë, që vetëm rritet, shtrihet kudo. Ju të gjithë e dini për çfarë e kam fjalën.

Çdonjëri prej jush i ka parasysh paratë nën dorë për kontrata shtetërore, ato 10 apo 20 përqindsha, që depozitohen në banka off-shore. Do i tregoj të gjitha këto llogari. Bankë për bankë.

Për ata që s’e dinë, kontratat shtetërore për rrugë, ilaçe, apo ristrukturim godine dhe palma janë para që dalin nga xhepat e çdo shqiptari në formë taksash dhe borxhi publik. Po ato para që kanë blerë makinat luksoze që përdorim pafytyrësisht; me të cilat mbajmë fëmijët jashtë Shqipërisë, dhe del ndonjë gjë dhe për dashnoret, ose anasjelltas; me të cilat kemi ndërtuar vila dhe shtëpi të dyta e të treta, sa në Shqipëri aq dhe në Europë. Dhe këto do ua them. Adresë për adresë.

Për ato para që si ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, kryetarë bashkish, drejtorë të mëdhenj e të vegjël i marrim kujtdo që na kërkon t’i zgjidhim një hall, që nga ndonjë tender e deri tek marrja në punë – edhe kur heqim ndonjë nga puna për t’i bërë vend militantit tonë; ku në tatime dhe dogana shikimet dhe gjuha e trupit mjaftojnë për ta thyer biznesin në dysh dhe devijuar paratë ku duam; kur japim konçesione majtas-djathtas siç qerasim miqtë gjithnjë e më të pakët kur vijnë vizitë; që si mjekë ia marrim nën dorë atij të sëmurit, që do të operohet apo kurohet, dhe themi se ai na i dha vetë; që si polic mezi presim të kapim ndonjë në faj që ta rrjepim mirë; apo dhe si mësues a pedagog, tek i bëjmë mësim pasdite në shtëpi të njëjtit nxënës që dështojmë me vetëdije ta mësojmë paradite në klasë, apo fare thjesht kur ia shesim diplomën univesitare ndokujt që nuk ka mbaruar gjimnazin.

Për këto para që pastaj i përdorim për të blerë votat. Se ju ndoshta nuk e dini atë ndodhinë kur një hallexhi i kërkonte deputetit të vet ndihmë dhe i tha: më ndihmo, se të kam dhënë votën. Deputeti iu kthye, dhe i tha: “Jo o burr, ç’a thu o burr, votën nuk ma ke dhënë, por ta kam blerë.”

Kështu mbahemi në pushtet. Gjoja bëjmë reforma. Miratojmë ligje. Të mira. Si për vete. Që na bëjnë të paprekshëm në mos të pavdekshëm. Me fis e me farë.

Ne i quajmë këto 25 si vite zhvillimi dhe prosperiteti. Shitemi sikur mbajmë rendin dhe ndalojmë kaosin, sikur sjellim paqen në konfliktet që ju keni. Ne ju kemi mbushur mendjen se çdo veprim i yni bëhet për të mirën e përgjithshme. Të familjes tuaj. Të fëmijëve tuaj. Nuk ka gënjeshtra më të mëdha se këto.

Të varfërit sot po shtohen, por nuk është ekonomia e tregut që e ka ekstremizuar shoqërinë. As kapitalizmi, që nuk ekziston në Shqipëri. Ne e kemi bërë. Ne e kemi krijuar pabarazinë. Atë më të tmerrshmen. Atë të mundësive. Që hyn tek të drejtat e njeriut. Ne e kemi marrë peng Shqipërinë, dhe ajo deri dje bënte sikur nuk e dinte.

Ne kemi ndryshuar ligjin e gravitetit. Paraja tanimë lëviz nga poshtë lart. Nga xhepat tuaj në duart tona. Këtë ia kemi ngulitur mirë në kokë shqiptarëve. Të mëdhenj e të vegjël. Të gjithëve ua kemi mësuar Rrugën e Parasë, ku ecën ajo në Shqipëri. Ne e prekim atë, e numërojmë, i gëzohemi dhe duam akoma më shumë. Ndërkaq, kemi hequr fare nga fjalori koncepte dhe fjalë si turpi, krimi, e drejta, e mira, e keqja, ndërsa kemi modifikuar kuptimin e fjalës vjedhje. Ajo është e tillë vetëm kur nuk e bëjmë ne. Ndryshe është zotësi.

Mbi të gjitha, ju nuk keni pronë me titull të sigurtë. Edhe atë që keni nuk e gëzoni. Ju del gjumi natën nga sherret. Dhe dilni e kontrolloni se mos e ka zënë njeri. Dhe ne nuk mbarojmë as legalizimin dhe as regjistrimin e pronës. Ndryshe, tani që mund të lëvizni lirisht pa viza, ku t’ju kapim? Që t’ju shkulim të gjitha pendët. Si kujtoni ju se bëhen për 2-3 vjet qindra miliona euro?

Turpi dhe keqardhja ime është se po i them këto gjëra kur as muret dhe gardhi i shtëpisë sime nuk janë më në gjëndje të fshehin zullumet e mia dhe kur as pozita, as pasuria e vënë deri tani nuk ma sigurojnë më paprekshmerinë.

Krimi im nuk është vetëm se iu dorëzova korrupsionit. Kurrë nuk protestova kundër tij. Përkundrazi u bëra mbartës dhe personifikim i tij. Rroja me shpresën se gjethja e fikut do më mbulonte gjithnjë. Se dhe më dukej sikur ju të gjithë më donit dhe bëheshit copë për mua. Apo e kam gabim?!

Por ajo që dua të pranoj, të rrëfej, është se krimi ynë nuk është ai që duket. Vilat, orët e shtrenjta, makinat, shkollat private, luksi i shfrenuar etj. Këto nuk janë asgjë. Këto rregullohen.

Krimi ynë i madh është se kemi korruptuar sistemin, shoqërinë. I kemi mbajtur me të gjitha format dhe mënyrat shqiptarët larg nga koncepti perëndimor se është institucioni abstrakt ai që garanton drejtësinë dhe mirëqenien e individit dhe jo lidhja e drejpërdrejtë telefonike apo familjare me titullarin e institucionit.

Kështu kemi realizuar shpërfytyrimin moral të shoqërisë. Kemi krijuar dhe perfeksionuar në vite atë që shoqëria jonë konsideron sot si modelin e suksesit. Të kapesh duke vjedhur para kamerave dhe jo vetëm të dalësh i pafajshëm, por edhe të bësh ligje në parlament. Ky është modeli i suksesit sot.

Çdo nënë do suksesin për fëmijën e vet. Këtë urim i këndon ajo fëmijëve. Që të kenë sukses në jetë. Atyre që po rrit dhe atyre që i ka në bark.

Ne këtu në Shqipëri, kemi arritur kështu të korruptojmë këngën e nënës me modelin tonë të suksesit, kemi helmuar përfundimisht ninullën, urimin dhe shpresën engjëllore të nënës për foshnjën e palindur në barkun e saj për të pasur një jetë të mirë. Sot nënat i këndojnë fëmijëve, që ata të bëhen si ne. Këto janë vargonjtë e vërtetë me të cilët kemi lidhur shoqërinë shqiptare. Jo vetëm foshnjat por edhe ata që nuk kanë lindur akoma. Ky është krimi i vërtetë që kam kryer. Për të cilin pranoj çdo dënim.”

***

Ky rrëfim nuk është bërë akoma. Nga askush prej qindra apo mijëra të pushtetshmëve shqiptarë, të zgjedhur apo emëruar, të këtyre 25 vjetëve. A do kemi një të tillë për shkak të reformës në drejtësi?

A do jetë reforma në drejtësi një lojë pushteti, ku njëra palë kërkon ta dominojë drejtësinë me numra deputetësh dhe tjetra palë thjesht përpiqet që kjo mos të ndodhë. Apo reforma në drejtësi do merret realisht me vjedhjen dhe korrupsionin strukturor në çdo qelizë të administratës, të pushteteve të varuara e të pavarura dhe do na japë mundësinë të dëgjojmë realisht rrëfime të tilla si ky më lart?

Shpërfytyrimi moral i shoqërisë sonë ka arritur në fund edhe pse ende shumëkujt gjendja e sotme i duket normale. Më kujtohet një nënë e indinjuar se po i përflitej fëmija si kriminel kur, sipas saj, vetëm një person kishte vrarë. Pse sa duhet të vriste?

Nga shumë pikëpamje, sidomos nga ajo e institucionit të drejtësisë, vendi i ngjan Sodomës dhe Gomorrës. Ne kemi nevojë urgjente për një gjykim hyjnor! A po vjen ky gjykim hyjnor përmes gojës dhe gjesteve të ambasadorëve miq, apo vjen si vullnet i brendshëm i yni?

Reforma në drejtësi, më shumë se çdo gjë tjetër, është një nevojë morale e shoqërisë sonë, e cila, moralisht, duhet të lindë sërish. Por a mund të vijë kjo lindje si akti i fundit në paqe i të pamoralshmëve?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>