Komiteti i barnave njerëzore të EMA (Agjensia Europiane e Barnave) ka filluar një vlerësim të Sputnik V, vaksinës anti COVID-19 , zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleya të Rusisë.
Vendimi i EMA-s për të filluar vlerësimin bazohet në rezultatet e studimeve laboratorike dhe studimeve klinike tek të rriturit.
Këto studime tregojnë se Sputnik V shkakton prodhimin e antitrupave dhe qelizave imune që shënjëstrojnë koronavirusin SARS-CoV-2 dhe mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër COVID-19.
EMA do të vlerësojë të dhënat kur të bëhen të disponueshme, për të vendosur nëse përfitimet tejkalojnë rreziqet.
EMA do të vlerësojë pajtueshmërinë e Sputnik V me standardet e të BE-së për efektivitetin, sigurinë dhe cilësinë.
Sputnik V pritet të funksionojë duke përgatitur trupin për t’u mbrojtur nga virusi SARS-CoV-2. Ky virus përdor proteina në sipërfaqen e tij të jashtme, të quajtura proteina spike, për të hyrë në qelizat e trupit dhe për të shkaktuar COVID-19.
Sputnik V përbëhet nga dy viruse të ndryshme që i përkasin familjes adenovirus, Ad26 dhe Ad5. Këto adenovirusë janë modifikuar për të përmbajtur gjenin për krijimin e proteinave spike të SARS-CoV-2; ato nuk mund të shumohen në trup dhe nuk shkaktojnë sëmundje. Të dy adenoviruset jepen veçmas: Ad26 përdoret në dozën e parë dhe Ad5 përdoret në të dytën për të rritur efektin e vaksinës.
Pasi të jetë dhënë, vaksina sjell gjenin SARS-CoV-2 në qelizat në trup. Qelizat do të përdorin gjenin për të prodhuar proteinën spike. Sistemi imunitar i personit do ta trajtojë këtë proteinë spike si të huaj dhe do të prodhojë mbrojtje natyrore – antitrupa dhe qeliza T – kundër kësaj proteine.
Muajin e kaluar, rezultatet paraprake të studimit të avancuar për këtë vaksinë u publikuan në gazetën mjekësore The Lancet.
Sipas të dhënave të publikuara, administrimi i dy dozave të Sputnik V tregoi efektivitet prej 91.6 për qind ndaj pacientëve që kishin simptoma të sëmundjes COVID-19.
Kjo përqindje e efektivitetit është e përafërt me efektivitetin që kanë treguar dy vaksinat e tjera, ajo e Pfizer/BioNTech dhe vaksina e kompanisë Moderna.
Kjo agjenci evropiane deri më tani ka miratuar për përdorim vaksinat e Pfizer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca/Oxford dhe pritet që gjatë javës së ardhshme të vendosë për miratimin e vaksinës Johnson & Johnson.
Po ashtu, vlerësimet vazhdojnë edhe për vaksinat CureVac dhe Novavax.
Kirill Dmitriyev, kreu i Fondit për Investime Direkte Ruse tha më 4 mars se -nëse miratohet për përdorim nga EMA- Rusia do të jetë në gjendje që nga muaji qershor të sigurojë vaksina për 50 milionë evropianë.
Dmitriyev po ashtu tha se Rusia pret që disa vende evropiane gjatë këtij muaji të miratojnë vaksinën, Sputnik V.
Më herët gjatë këtij muaji, Sllovakia pranoi kontingjentin e parë me doza të Sputnik V, duke u bërë shteti i dytë i BE-së, pas Hungarisë, që ka marrë vaksina ruse, pavarësisht se kjo vaksinë ende nuk është miratuar nga rregullatori për barna i bllokut evropian.