Rregullorja e re – Kuvendi kthehet në ”gjykatë”

Rregullorja e re – Kuvendi kthehet në ”gjykatë”

Ndryshimet e reja në Rregulloren e Kuvendit, të propozuara nga shumica socialiste, i japin deputetëve dhe ministrave imunitet nga arresti për çdo vepër penale, sado serioze të jetë ajo.

Partia Socialiste ka propozuar, që në rast të një hetimi ndaj një deputeti apo ministri, të dyshuar për kryerjen e një vepre penale, duhet të jetë Këshilli i Mandateve në Kuvend ai që merr në pyetje prokurorinë, që vlerëson dhe vendos nëse prokuroria ka prova të mjaftueshme për ta arrestuar atë dhe nëse subjekti nën hetim është i fajshëm apo i pafajshëm.

Sipas propozimeve të PS-së, imuniteti i deputetëve apo ministrave nuk mund të hiqet vetën në bazë indiciesh apo dyshimesh të arsyeshme dhe më pas të hetohet dhe të përballet me drejtësinë si njeri i zakonshëm.

Nëse miratohen këto ndryshime në rregullore, çdo kërkesë e prokurorisë për arrestimin e një zyrtari të lartë do të kthehet në një proces gjyqësor, ku gjykatës do të jenë anëtarët e Këshillit të Mandateve në parlament.

Në fakt, sipas ligjeve shqiptare, gjykata është i vetmi institution, ku prokuroria ka të drejtë të paraqesë provat e ligjshme dhe mbrojtja ka të drejtë t’i kundërshtojë ato. Gjithashtu, gjykata është i vetmi insititucion që ka të drejtën të administrojë dhe vlerësojë provat e paraqitura nga prokuroria dhe të shpallë fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit.

Ky imunitet i garantuar nga rregullorja e Kuvendit, nuk praktikohet në asnjë vend të botës. Shumica dërrmuese e vendeve perëndimore, nuk i jep imunitet deputetëve për vepra penale të kryera jashtë sallës së parlamentit. Për shembull, anëtarët e Kongresit të SHBA-ve dhe deputetët e parlamentit britanik mund të arrestohen në çdo moment, nëse akuzohen për vepra penale— për çdo krim më serioz se kundravajtjet penale. Jo rastësisht, në këto dy vende, aq imunitet sa jepet, njihet respektivisht si “privilegj nga arresti” dhe “privilegj parlamentar”.

Duket se rasti i ish-ministrit Tahiri ka shtyrë Partinë Socialistë të marrë hapa konkrete për të kthyer në ligj, atë çfarë ndodhi në Këshillin e Mandateve, në tetor 2017. Atëherë, në mënyrë të paligjshme dhe absurde, deputetët e shumicës u kthyen në hetues e gjykatës dhe morën nën hetim prokurorinë dhe “provat” e saj. Këshilli i Mandateve nuk lejoi arrestimin e Tahirit edhe pse prokuroria argumentoi se kishte rrezik që i akuzuari, pra Tahiri, të shkatërronte provat, në rast se hetohej në gjendje të lirë.

Si do të bëhet procesi i arrestimit të një deputeti, nëse miratohen këto ndryshime në rregulloren e parlamentit:

 – Prokurori i paraqet kërkesën dhe provat për arrestim të deputetit ose ministrit Kryetarit të Kuvendit.

 – Kryetari ia përcjell kërkesën Këshillit të Mandateve, i cili vë në dijeni kuvendin dhe deputetin për kërkesën.

 – Kuvendi cakton dy relatorë të çështjes, një nga opozita dhe një shumica. Të gjitha provat i bëhen të ditura subjektit të akuzuar dhe i caktohet dita kur do të shqyrtohet kërkesa.

 – Prokurori duhet të sqarojë kërkesën për arrestimin e deputetit ose ministrit, t’i nënshtrohet një seance me pyetje nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe nga i akuzuari ose nga avokati i tij.

 – Deputeti ose ministri ka të drejtë të marrë paraprikisht provat dhe kërkesën e prokurorit. Pasi ka pasur kohën e nevojshme për t’u informuar, për të bërë pyetje dhe për t’u sqaruar, ai ka të drejtën të mbrohet nga një avokat dhe të paraqesë mbrojtjen e tij, me shkrim ose me gojë, Këshillit të Mandateve. Çdo anëtar i këshillit ka të drejtë ta pyesë deputetin.

 – Pas përfundimit të seancës, në Këshillin e Mandateve, dy relatorët e çështjes hartojnë raportin e tyre dhe ia paraqesin Kryetarit të Kuvendit dhe Këshillit të Mandateve.

 – Brenda 2 javëve, Kuvendi duhet të miratojë raportin e Këshillit të Mandateve, me votim të hapur. Në seancë plenare, deputeti i akuzuar ka të drejtë të flasë i pari, më pas Kryetarët e grupeve paralamentare  dhe në fund sërish deputeti i akuzuar ka të drejtë të japë sqarimet e e tij brenda 10 minutave.

 – Brenda shtatë ditëve, Këshilli i Mandateve merr vendimin nëse lejon ose jo arrestimin e deputetit. Ky vendim i paraqitet deputetëve dhe publikut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>