Jashtë Shqipërisë ka një numër të madh votuesish që po t’iu jepet mundësia për të votuar do të ndikojnë ndjeshëm në rezultatin e zgjedhjeve.
Në emisionin “Me Pak Fjalë” u fol mbi votën e emigrantëve, se si ajo mbeti një premtim edhe për zgjedhjet e 2021, megjithëse numri i tyre është i përafërt me numrin e votuesve brenda vendit.
Shqipëria është një nga vendet me diasporën më të madhe në botë në krahasim me popullsinë. Aktualisht jashtë vendit jetojnë 34% e shqiptarëve, rreth 1.64 milionë. Nga këta, rreth 1.3 milionë kanë të drejtë vote.
Në zgjedhjet e vitit 2017, në Shqipëri votuan rreth 1.6 milionë qytetarë, rreth 300 mijë më shumë se numri i emigrantëve me të drejtë vote jashtë vendit.
Sot e vetmja mënyrë që ata ta ushtrojnë të drejtën e votës është që të vinë fizikisht në Shqipëri.
Nëse atyre i garantohet votimi nga jashtë vendit, numri i lartë i votave që përfaqësojnë do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, pjesa e popullsisë që jeton jashtë vendit ndodhet në më pak presion nga politika brenda vendit duke i bërë më pak të varur prej partive. Kështu që vota e emigrantëve me gjasa do të rrisë edhe kërkesën e llogaridhënies të deputëtëve.
Megjithatë, e drejta e emigrantëve për të votuar jashtë vendit, nuk do të zbatohet në zgjedhjet e vitit 2021 pasi nuk ka konsensus mes palëve politike mbi sistemin se si do të zbatohet. Kjo sipas ligjit duhet të vendoset nga KQZ por ajo ka kërkuar konsensusin e palëve për këtë pikë pasi rrezikon të cënohet legjitimiteti i zgjedhjeve.
Jemi 67 ditë nga zgjedhjet dhe nuk është marrë asnjë vendim për regjistrimin e votuesve jashtë vendit. Ky vendim duhet të pasohej me të tjera që përcaktojnë mënyrën e votimit dhe procesimin votave.
Zotimi i palëve politike në 5 qershor për votën e diasporës do të presë të realizohet në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.