Autoriteti Rrugor ka klasifikuar ofertat e vlefshme për tenderin e ndërtimit të rrethrrotullimit në sheshin Shqiponja dhe kompania që ka ofruar më pak është Vëllezërit Hysa, kompani, e cila në tenderin e anuluar të një viti më parë, nuk paraqiti fare ofertë.
Tenderi që u hap më 14 qershor të këtij viti kishte projekt ndryshe nga paraardhësi. Nga një rrethrrotullim me mbikalim tre katësh nga Bashkia Tiranë u bë në një rrethrrotullim me tre nivele nëntokë.
Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi ka fond limit 18 milionë euro (2,2 miliardë lekë). Duhej të ishte mbyllur më 22 korrik, por deri më sot nuk është shpallur ende fituesi.
Sidoqoftë ditën e enjte, Top-Channel raportoi se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka klasifikuar vlerësimet e kompanive që janë shfaqur të interesuara.
Top-Channel dhe media të tjera raportuan se ARSH kishte skualifikuar 5 kompani me argumentin se “nuk përmbushnin kriteret”.
Kompanitë e vetme që janë kualifikuar kanë qenë Curri, Vega dhe Vëllezërit Hysa që kanë ofruar 1,99 miliardë lekë, 2,2 miliardë dhe 1,78 miliardë lekë.
Prej faktit se oferta më e ulët prej kompanive të mbetura në garë është ajo e kompanisë Vëllezërit Hysa (1,78 miliardë lekë; 14 milionë euro) me shumë gjasa ky segment do t’i jepet asaj për t’u ndërtuar, gjithmonë nëse nuk ankimohet.
Vlen për t’u theksuar se në tenderin e parë të këtij segmenti rruge, Vëllezërit Hysa nuk paraqitën ofertë.
Nëse oferta e tyre do të kishte qenë e ngjashme me këtë të këtij viti, bashkimi i kompanive Biba-X dhe DH Albania nuk do ta kishin fituar, pasi ata ofruan 18 milionë euro.
Ndërtimi i rrethrrotullimit te sheshi Shqiponja është pjesë e së ashtuquajturës Unazë e Re (Unaza e Madhe e Tiranës).
Projekti në fjalë që bën pjesë në segmentin nga shkolla e mesme Teknologjike deri te rrethrrotullimi trazoi mjaft banorët anës rrugës pasi projekti parashikonte prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre.
Prej rreth një viti ata vazhdojnë të protestojnë kundër projekteve, ndërkohë që në tenderin e parë për rrethrrotullimin kompania Dh Albania u denoncua se kishte falsifikuar dokumentat.
Kjo kompani, e cila sipas raportimeve të Zërit të Amerikës lidhej me zotëruesit e kompanisë Gener 2, kishte fituar tenderin me vlerë 18 milionë euro duke dorëzuar dokumenta kinse ishte ishte seli e një kompanie amerikane me qendër në Delaware, e regjisturar që në vitin 1998, në një kohë kur në të vërtetë ajo figuronte e regjistruar më 25 qershor 2018.