Rrëzime minibustesh

Nga Ted Kopliku
Rrëzime minibustesh

Revoltimet shqiptare kanë qënë historikisht në formën e rrëzimeve të minibusteve. Këtë na e tregon historia me Gjergj Kastriotin, Ismail Qemalin, Zogun dhe Enverin. Historia që unë kam mësuar në shkollë më ka mësuar për heronj “gjysëm zota” ose për personazhe real historik në formë legjendash. Më ka mësuar për një gjeneral i cili u rrit në oborrin e nje perandorie që i kalonte edhe fuqitë që SHBA ka sot, mori graden më të lartë “Skandër” dhe me njohuri të dobëta gjuhësore bashkoi të gjithë principatat. Edhe pse osmanët nuk na lanë të mesonim shqipen në shkolla në Shqipëri ai e dinte gjuhën deri në oratori. Cilësitë e tij nuk ishin mitologjike, por profetike. Pra nuk kalonin mes shpatës dhe muskujve, por nëpërmjet “muskulit”. Konkluzioni im është që profecia e tij kalonte vetëm nga një muskul, nga gjuha. Edhe pse nuk kishte ku të mësonte shqipen ai arriti të bindte të gjithë princat kokëfortë shqiptarë dhe u revoltua kundër perandorit.

Personalisht kjo më duket shumë më pak e besueshme se jehona e Ilireve qe shkonte shume larg, për të cilët historia që unë kam mësuar flet pak. Madje kjo histori nuk më ka treguar thuajse aspak për mbretërit të cilët ka shumë mundësi i kanë vënë emrin një nga porteve më të medha të Evropës, atij të Marsejës (marr dhe sjell). Historia më pas më ka treguar për një ish-ministër i po të njëjtës superfuqi, i cili udhëheq Pavarsinë tonë, për një mbret të vetëshpallur i cili vjen me ndimën e jugosllavëve dhe një diktator i cili mbulohej me bursën e këtij mbreti dhe vjen në pushtet nga ndihma e po të njëjtëve që sollën mbretin.  Në asnjë moment ndryshimi nuk erdhi nga revoltimi i brendshëm. Pra liderët ose na i sollën, ose në rastin më të mirë u krijuan nga faktorë të jashtëm.

Si dje 26 vite më parë në qytetin e Shkodrës u rrëzua busti i Stalinit. Në të njëjtën datë 14, por ne Korrik të vitit 1790 francezët kujtojnë Ditën Nacionale, rënien e Bastijes dhe e gjithë bota nderon Revolucionin Francez. Me shumë se Revolucionin Francez dhe rënien e Murit të Berlinit, shqiptarët kujtojn çdo vit  rënien e një mini busti.  Veprim heroik të cilin të tjerë e kryen e të tjerë krenohen. Jam shumë i vogël unë dhe nuk besoj se ka njeri që dyshon në guximin e atyre njerëzve apo shpresën e çdo shqiptari për një Shqipëri si e gjithë Evropa. Gjithashtu nuk ka shqipëtar të ulë vlerën e revoltës së atyre viteve, sakrificën apo guximin për tu ngritur kundër regjimit më gjakatar në të gjithë Evropën. Por në gjithë këtë histori ka diçka që nuk shkon., si me çdo revolucion tonin.

Personalisht rrëzimi i bustit të Stalinit më ngjan me rrëzimin e bustit të Hussein në 2003 në Bagdad. Jo vetëm nga ngjashmëria fizionomike e dy tiranëve. Por sepse asnjë nga ngjarjet nuk solli ndryshime të mëdha.  Ashtu sikurse morëm të fundit pavarsinë nga Perandoria Osmane, po ashtu ishim të fundit që komunizmin dhe diktaturën në Evropë ia lamë historisë. Nuk bëmë shumë. Në të njëjtën formë siç u çliruam nga nazifashistët, i dhamë të shtyrën një busti që po binte, një sistemi që i kishte ardhur koha të ikte. Regjimi ishte shumë i vështirë, por ndryshimi ishte i pashmangshëm.

Çfarë sollëm me rrëzimin e minibusteve?! Përveçse rrëzuam buste dhe minibuste, mbushëm sheshe dhe shpresuam, njëkosisht rrëzuam e shkatërruam çdo uzine e industri prodhuese, mbushëm çdo ambasadë e gomone. Vramë njeri-tjetrin, por as nuk burgosëm asnjë persekutor. Guximi jonë nuk shkoi me larg se rrëzimi i busteve dhe simboleve. Bustet ranë një nga një por kultura komuniste mbeti. Ideologjia dhe kultura e mbrapshtë komuniste në çdo aspekt jeton edhe sot.

Sollëm gjithashtu një klase politike e cila akoma sot nuk ka dalë jashtë dhomës së takimit të famshëm me Ramiz Alinë. Nga ajo dhomë akoma nuk kanë dalur as faktorët në media dhe ekonomi.  Ish ministrat e atij sistemi të cilit i rrëzuam vetëm bustet, sot drejtojnë komisione e grupe parlamentare. Sollëm kriminelë në Parlament, gazetarë të kapur, artistë të deformuar, rrjedhimisht një ekonomi të paorientuar.

Sollëm edhe diçka të mirë, qeverisjen e 2005 – 2009, por edhe kësaj të mire nxituam t’i japim një milion shuplaka. Sollëm kështu në 2013 pjesën tumorale që ndaloi zhvillimin në 2009 dhe Rilindjen. Rilindje që vret drejtora bankash në fillim të pushtetit dhe të blen bankën në fund të tij, që të burgos për 1.8 gram dhe të tallë kur shikon avionët e drogës, të blen mediat, të kërcënon dhe lista e cilësive të Rilindjes nuk ka fund.

Sigurisht që jemi një popull eksperimental të cilin e ka shpëtuar pozita gjeografike nga zhdukja. Heronjtë më të mëdhenj janë të persekutuarit sepse ne jemi nje popull i persekutuar. Ata u burgosen, u vrane dhe me pas u tallën, prandaj zgjidhja e vetme është një “chutzpah” për tu revoltuar seriozisht.  Në qoftë se nje dite do te marrim kete “chutzpah” atehere do te kemi shprese. Ate dite qeveria do te nenshtrohet, opozita dhe qeveria e neserme do të frikësohet dhe fuqitë e mëdha do të na marrin seriozisht si popull. Na nevojitet një guxim i marrë për të bërë një revolucion të gjatë. Është koha të tejkalojmë rrëzimin e mini busteve. Për këtë kemi mjaft motive, francezve i mjaftuan vetëm stolitë e mbretëreshës. Ka vetëm një problem teknik sepse ato kishin Russon, Volter-in dhe Robespier-in për t’i udhëhequr ideologjikisht, ne nuk kemi asnjw.

Shënim: Chutzpah në hebraikisht do të thotë me pak fjalë guxim i marrë, për të cilën do shkruaj një ditë tjetër)

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>