Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithnjë e më tepër, po besojnë se avioni ukrainas i rrëzuar dje në Iran është goditur gabimisht me raketë nga Irani.
Sipas CNN, zyrtarë të shumtë amerikanë të Pentagonit dhe Inteligjencës amerikane po deklarojnë se të dhënat e hetimet, analizimet e pamjeve nga radarët dhe satelitët po e përforcojnë gjithnjë e më tepër këtë dyshim.
Mëngjesin e djeshëm një avion i linjës Teheran-Kiev u rrëzua pak minuta pasi ishte ngritur nga pista, duke shkaktuar vdekjen e 176 personave në bord. Koha e rrëzimit të avioni ka nxitur dyshime pasi ndodhi vetëm disa orë pasi Irani sulmoi me raketa dy baza irakiane që strehonin trupat amerikane në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit të saj të lartë, po ashtu në Irak.
Këto dyshime janë hedhur poshtë nga Kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil të Iranit Ali Abedzadeh, i cili deklaroi për CNN se piloti i avionit të rrëzuar ka tentuar të ulet sërish në aeroport sapo ka vënë re se ka një problem:
“Si mund të goditet një aeroplan nga raketa dhe më pas piloti të përpiqet të kthehet përsëri në aeroport?! Nëse një raketë godet një aeroplan, ai do të bjerë në rënie të lire.”