Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbetur jashtë listës së kandidatëve për deputetë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pranoi pjesërisht ankesat e partive politike në Kosovë mbi certifikimin e listës së kandidatëve.
Sipas pikës 1 të vendimit të PZAP, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti lihet jashtë listës.
Po ashtu edhe Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.
PZAP ka vendosur që të certifikojë pjesërish listën e LVV pa kandidatët e mësipërm.
Sipas vendimit kandidatët e përjashtuar nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.
PZAP ka vendosur njësoj edhe për Nismën Socialdemokrate. Ka certifikuar listën por ka lënë jashtë 12 kandidatë.
Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, Filloreta Bytyçi, Valentina Alijaj, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Ardian Nokaj nuk do të mund të kandidojnë.
Nisma nuk mundet gjithashtu t’i zëvendësojë me emra të tjerë këta kandidatë.
Partitë kanë kohë 24 orë që ta dërgojnë për ankesë vendimin e PZAP në Gjyktaën Supreme të Kosovës.
Në një dekalratë për mediat, zëdhënësi i KQZ tha pas vendimit se KQZ do veprojë në përputhje me vendimet e PZAP.
Ai tha se do të presin duke qenë se partitë mund ta dërgojnë ankesën në Gjykatë Supreme.
KQZ në Kosovë nuk ka certifikuar listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës.
LVV, AAK dhe Nisma nuk u certifikuan pasi nuk kishin zëvendësuar kandidatët që KQZ njoftoi se janë të papërshtatshëm sipas ligjit për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas ligjit, ata persona që janë dënuar për një vepër penale në 3 vitet e fundit, nuk mund të kandidojnë për deputet.
LVV ka pasur debate me kryetaren e KQZ Valdete Dakën, për shkak të vendimit dhe e ka akuzuar atë për lidhje me krimin e organizuar.
Sipas LVV Daka ka bashkëpunuar me LDK dhe PDK që të lërë jashtë liste Kurtin dhe deputetët e tjerë.