Sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2016 eksporti i fruta-perimeve është rritur me 30 për qind. Por, vlera e përgjithshme e eksporteve nuk arrin në 60 milionë euro.
Në dallim nga kategoritë e tjera, produktet e kategorisë “Ushqime, pije freskuese dhe duhan” kanë shënuar rritje të eksporteve me 20 për qind në krahasim me vitin 2015, ndërsa importet janë rritur më pak.
Pavarësisht rritjes së eksporteve, vlera e bilancit të tregtisë së jashtme për këtë kategori mbetet zhgënjyese. Ai llogaritet në rreth 550 milionë euro në vit.
Nga kjo e dhënë del qartë se vendi jonë vazhdon të shpenzojë më shumë para në importin e ushqimit dhe duhanit se sa përfiton nga eksporti i tyre. Dhe kjo e dhënë, fatkeqësisht është e qëndrueshme.
Përgjithësisht, bilanci tregtar i vendit është përkeqësuar me 11, 3 për qind, pra me rreth 250 milionë euro. Duke e llogaritur deficitin vjetor për vitin 2016 në rreth 2, 5 miliardë euro.
Përveç kategorisë së “ushqimeve, pijeve freskuese dhe duhanit”, i vetmi zë tjetër i ekonomisë në përmirësim është “veshmbathja”. Për këtë sektor bilanci tregtar është rritur me 28 për qind, pra me rreth 780 milionë euro nga eksporti dhe 580 milionë euro nga importi.
Kjo tregon se, sektori i veshmbathjeve vazhdon të mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.