Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, i bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë masat e higjienës dhe distancimit social, pasi numri i të infektuarve po rritet gjithnjë e më tepër.
Të martën, 9 qershor, u zbuluan 36 të infektuar të rinj, duke shënuar ditën me më shumë të infektuar ditorë ë prej 9 marsit, datë kur u gjetën 2 të infektuarit e parë në vend.
Gjatë raportimit të të dhënave ditore, Bino i kujtoi qytetarëve se të gjithë sakrifikuam 2 muaj nën masa të rrepta qarkullimi, ndaj nuk duhet të tregohemi të pakujdesshëm gjatë periudhës së hapjes së vendit:
“Deri më tani, deri në fillimin e hapjes së masave kishim një numër një shifror, e cila erdhi si rezultat i masave drastike, i sakrificës së gjithësecilit.
Por kjo nuk do të thotë që me hapjen e masave, ne të shpërdorojmë çdo këshillë dhe të shpërdorojmë atë që ne vetë sakrifikuam.
Kjo kërkon që ne të jemi të përgjegjshëm gjatë gjithë këtyre muajve në mënyrë që të mos humbim atë që e fituam me shumë mund.”
Ajo theksoi se ulja e numrit të të infektuarve kërkon përgjegjshmërinë e të gjithë qytetarëve.