Viti 2019 ishte me rritjen më të vogël të ekonomisë në 4 vitet e fundit. Revista Monitor analizoi se nga 4.3% që ishte pritshmëria e rritjes ekonomike për vitin e shkuar, kjo rritje pritet të rezultojë në vetëm 2.7%, më e ulëta që prej vitit 2015 – që ishte 2.2%.
Qeveria e ka justifikuar ngadalësimin e rritjes së ekonomisë me faktorë si “rënia e prodhimit të energjisë, mbyllja e lojërave të fatit, apo tërmeti që goditi vendin në fund të nëntorit”.
Mirëpo duke iu referuar “Kuadrit të ri Makro Ekonomik dhe Fiskal 2020-2023” të publikuar në Fletoren Zyrtare, Monitor analizon se vendi ka shënuar përkeqësim edhe në drejtim të mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Ato vlerësohen në 27.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 27.7% që janë mbledhur vitet e mëparshme.
Pavarësisht situatës së vitit 2019, parashikimi për rritje ekonomike mbetet prej 4% për vitet e ardhshme.
Duke iu referuar të njëjtit raport, Monitor analizon se pritshmëritë për deri në vitin 2023 janë:
- ulje e borxhit publik nga 66.2% në 60%
- rritja ekonomike të vijojë në nivelin prej 4%
- rritje e investimeve
- rritje të besimit të konsumatorit
- përmirësim te tregut të punës
- lehtësim të huadhënies