Sot janë të paktën 17 presidente apo kryeministre femra në botë. Tashmë janë 63 vende që, në gjysmëshekullin e kaluar, kanë pasur të paktën një herë një femër për kryetare të qeverisë apo të shtetit
Por, nuk është fakti i të qenit femër që është i rëndësishëm, por është stili femëror që udhëheqëset e sotme kanë sjellë në politikë. Gratë e fuqishme të viteve 1970 dhe 1980—Indira Gandhi, Golda Meir, Margaret Thatcher—ishin gra “të hekurta”, metaforikisht, të famshme se kishin më shumë guxim se politikani i zakonshëm mashkull.
Ndërsa, udhëheqëset femra të kohës sonë nuk janë vetëm femra; ato janë gjithashtu femërore. Shembulli më i qartë është kancelarja gjermane Angela Merkel, stili politik i së cilës kombinon dhuntinë e të folurit qetë, aftësinë për të kryer shumë detyra njëherësh, prirjen për të ruajtur qetësinë dhe inteligjencëne e saj emocionale.
Udhëheqësit evropianë dhe turq e kaluan javën e kaluar duke u grindur mbi një plan të hartuar nga Merkel për kufizimin e lëvizjes së emigrantëve, kryesisht muslimanë, nëpërmjet Turqisë në Greqi dhe nga andej drejt pjesës tjetër të Evropës. Ky është lloj i negociatave që ajo pëlqen më shumë. Raundi final, tha ajo të premten, nuk do të ishte “aspak i lehtë.” Dikush mund të shihte gati një buzëqeshje të lehtë në fytyrën e saj, teksa po shfaqej mundësia e një tjetër marrëveshje në orën tre të mëngjesit. Nëse ka ndonjë lider që preferon këto lloj betejash politike sy më sy, ajo është Mutti Merkel.
Por, tani pyesim veten se si Evropa përfundoi në këtë rrëmujë. Në televizionin gjerman, korrikun e kaluar, Merkel bëri të qajë një refugjat të ri palestinez, duke i shpjeguar se familja e tij mund të përballej me deportimin. “Ka mijëra e mijëra njerëz në kampet e refugjatëve palestinezë,” shpjegoi ajo, “nëse themi se mun të vinë të gjithë … ne thjesht nuk mund ta menaxhojmë atë situatë.”
Por lotët e kryen rolin e tyre. Gjashtë javë më vonë, Merkel hapi dyert e Gjermanisë duke deklaruar se “mund ta menaxhojmë situatën.” Të gjitha llojet e shpjegimeve historike janë ofruar për ndryshimin epokal të qendrimit nga ana e saj, por për mua thelbi është politika femërore. Përballë lotëve të Rim Sahuilit, reagimi i kancelares ishte një përpjekje impulsive për ta ngushëlluar, e pasuar nga një ndyshim 180 gradësh i qëndrimit të saj ndaj emigrantëve.
Po kështu, për ngjitjen e Donald Trump janë ofruar të gjitha llojet e shpjegimeve historike, por unë tani shoh një shpjegim akoma më të thjeshtë. Ai është thjesht flamurtari më i fundit i një revolte mbarë botërore kundër politikës femërore. T’i lemë mënjanë termat populizëm dhe fashizëm—kjo është, në fakt, politika e njeriut shpellar—jo vetëm mashkull, por mashkullor në mënyrën e tij sulmues dhe të egër. Vladimir Putin është versioni rus. Narendra Modi është versioni indian. Xi Jinping është mashkulli maço i Kinës. Recep Tahip Erdogan është i Turqisë. Ata flasin ashpër dhe kanë vështrime të egra. Ata nuk do të ngushëllonin, kurrë, një vajzë që qan.
“Ajo çka duket tek Donald Trump është fakti se ai është dikush që i përgjigjet grushtit me grusht,” shpjegoi Kori Levandovski, menaxheri i fushatës Trump. “Kur dikush përpiqet ta godasë, ai i kundëpërgjigjet shumë herë më fort.”
Kur Trump tha se Barack Obama “ja ngjeshi” Hilari Klintonit në primaret e 2008-s, Klinton e akuzoi Trump për “prirje seksiste,” Trump ju kthye duke i kujtuar se i shoqi nuk kishte qenë modeli më i mirë për sjelljet ndaj femrave. Sipas Levandovskit “ai e goditi 10 herë më fort.”
Kjo mënyrë e të folurit pa doreza, është thelbi i politikës anti-femërore. Në fillim të këtij muaj, dhuna retorike u kthye në dhunë fizike gjatë një morie mitingjesh të kandidatit Donald Trump. Është e paimagjinueshme që dikush të godasë me grusht gjatë një fjalimi të Merkel. As nuk mund ta imagjinoni Klintonin duke kërcënuar me “trazira” në qoftë se ajo nuk emërohet si kandidatja e Partisë Demokratike. Ajo dëshiron të “bëjë Amerikën të plotë sërish”—slogan klasik femëror—dhe jo të hapë një vrimë në zemrën e shoqërisë amerikane.
Është për t’u theksuar, gjithashtu, fakti se politika e shpellarëve është duke hedhur poshtë jo vetëm udhëheqëset femra, por edhe udhëheqësit e butë, “femërorë”, të periudhës së pas Luftës së Ftohtë—udhëheqës të rinj, të cilët bënin palestër, pinin verë të kuqe dhe përfaqësonin qendrime politike “metro-seksuale”. Politika, sikurse gjuha gjermane, ka gjininë mashkullore, femërore dhe asnjanëse.
Ironia është se, në krahasim me politikanët meshkuj të një brezi më parë, politikanët maço të sotshëm nuk janë me të vërtetë dhe aq burrërorë.
Vërtetë Trump ka ndjekur një shkollë ushtarake, por vetëm pasi iu mbyllën të gjitha opsionet e tjera arsimore. Por ai kurrë nuk ka qenë në fushë luftimi. Në fakt, ai i ka shërbyer vendit të tij më pak sesa ushtari më i ulët. Në këtë kuptim, ka diçka thellësisht të rremë në lidhje me imazhin e tij mashkullor. Një njeri i cili ka nevojë t’i konfirmojë publikut madhësinë e organeve të tij gjenitale nuk është maço; ai është thjesht i pasigùrt.
Lajmi i mirë është se një brez i ri i është futur rrugës së politikës: amerikanë që vërtet i kanë shërbyer vendit të tyre në Afganistan dhe Irak, një numër i theksuar i të cilëve tani janë duke i hyrë jetës publike, duke garuar dhe duke fituar zgjedhjet në kongreset e shteteve dhe atë kombëtar, siç është rasti i senatorit të Arkansasit Tom Koton.
Lajm akoma edhe më i mirë është ai se disa prej tyre, si Joni Ernst nga Iowa, janë gra. Unë shpresoj se ato do të kthehen një ditë në “zonja të hekurta.”