Rritje e numrit apo rritje e formalizimit të ndërrmarrjeve?

Nga Rezearta Caushaj
Rritje e numrit apo rritje e formalizimit të ndërrmarrjeve?

Sipas raportit të publikuar nga Instat viti 2020 shënoi një rritje prej 2,5% në numrin e ndërrmarrjeve ekonomike krahasuar me një vit më parë.

Nga analiza e të dhënave, del se shtimi i ndërrmarrjeve i detyrohet, në pjesë të madhe, rritjes së fermerëve që janë pajisur NIPT.

Kemi 9,3 % më shumë fermerë të regjistruar krahasuar me 2019.

Regjistrimi, në parim, u siguron fermerëve të drejtën të përfitojnë një sasi nafte falas, ndërkohë që janë të përjashtuar nga pagesa e një takse të dedikuar.

Kjo duket se ka kontribuar në shtimin e kërkesave për regjistrim të tyre.

Por, nga ana tjetër, ajo tregon se rritja e numrit të ndërrmarrjeve në fakt mund të jetë rritje e ndërrmarrjeve të regjistruara.

Një tjetër tregues që shkon kah këtij përfundimi është ulja e numrit të ndërrmarrjeve tregëtare, të cilat zënë volumin më të madh të ndërrmarrjeve në vendin tonë.

Krahasuar me vitin 2019, kur zinin 23% të numrit të ndërrmarrjeve, në 2020 ato kanë pësuar një rënie prej 7.9%, duke zënë vetëm 22.1% të tyre. Në raport me 2018, vërehet një trend zbritës, pasi përbënin 23.2% të ndërrmarrjeve.

Ulje ka patur edhe në numrin e ndërrmarrjeve me bashkëpronar të huaj, nga 4% në 2019 në 3.4% vitin e shkuar.

Një sektor që ka njohur rritje në tre vitet e fundit ka qënë ai i ndërtimit, ku në 2018 rezultonin 4602 ndërrmarje, në 2019 4726, ndërsa në 2020 janë 5060 ndërrmarrje të regjistruara. Nuk përjashtohet që programi i rindërtimit i qeverisë të ketë stimuluar shtimin mbi 2-fish krahasuar me vitin paraardhës.

Pjesa më e madhe e ndërrmarrjeve janë të përqëndruara në rajonin Tiranë-Elbasan, ku punësohet 54.4% e forcës punëtore të regjistruar në vend. Numri i këtyre ndërrmarrjeve pësoi rritje në një vit nga 41% në 46,9%.

Numri i sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë ka njohur një rritje të lehtë me 0.1% krahasuar me vitin e kaluar, nga 25.4 në 25.5% , por ajo shënon ulje krahasuar me 25.7% në vitin 2018 dhe akoma më tepër krahasuar me 2017 kur ato zinin 29.7% të ndërrmarrjeve totale në vend.

1 në 3 nga sipërmarrjet e grave rezulton e vendosur në Tiranë.

Pa të dhëna shtesë është e vështirë të kuptohet se çfarë pjesë e rritjes i detyrohet formalizimit të ndërrmarrjeve që kanë operuar pa u regjistruar dhe çfarë pjesë përbën rritje reale.

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>