Skena e Pavarur Kulturore, rrjeti më aktiv i organizatave jofitimprurëse që kanë në fokus artin dhe kulturën, ngre shqetësimin për situatën alarmante ku ndodhet arti dhe kultura në Shqipëri.
SPK shprehet se Shqipëria ka buxhetin më të ulët për artin dhe kulturën në gjithë Evropën dhe se i gjithë procesi i hartimit dhe miratimit të buxhetit është bërë në mungesë të plotë transparence nga Ministria e Kulturës.
SPK kërkon që në të ardhmen Ministria të jetë më bashkëpunuese dhe transparente me vetë artistët dhe organizatat që kanë në fokus artin e kulturën.
Përfaqësuesit e organizatës shprehen se shumë e rëndësishme që grupet e interesit të përfshihen në vendimmarrje kaq të rëndësishme sa hartimi i buxhetit vjetor, apo shpërndarja e fondeve në bazë të meritokracisë.
Një tjetër shqetësim i SPK-së është shfuqizimi dhe mbyllja e Qendrës për Artin dhe Kulturën (QKAK) nga Ministrja Kumbaro pa asnjë argumentim ligjor. Modeli i Qendrës ishte konceptuar në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Arteve në Britani, i cili mendohet se është nje nga modelet me të mira kulturore pasi e bën të pavarur vlerësimin e krijimtarisë nga influencat politike.
Çështje tjetër e ngritur nga SPK është dhe hartimi i një pakete fiskale që i përshtatet më shumë industrisë krijuese. “Kjo kategori nuk ka pse paguan takse tabele, taksa gjelbërimi e taksa bashkie apo çfarë mund të dalë tjetër sepse punon dhe shet në mënyrë shumë sporadike : një këngëtar që performon live në një bar, apo një piktor që shet një pikturë nëse duan të lëshojnë një faturë me sistemin aktual të taksave e kanë jetën të vështirë”, shprehen përfaqësuesit e SPK-së.