Rruga e Kombit, prodhuesit shqiptarë i kërkojnë qeverisë të ulë tarifat

Rruga e Kombit, prodhuesit shqiptarë i kërkojnë qeverisë të ulë tarifat

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë i kërkoi sot qeverisë të ulë tarifat për kalimin në Rrugën e Kombit dhe të shtyjë të paktën deri në shtator aplikimin e tyre.

Me anë të një shkrese zyrtare drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, BPSH shprehet se tarifat e kalimit në këtë aks rrugor janë shumë të larta dhe do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e kostove për bizneset dhe në çmimet e produkteve për konsumatorët.

“Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ka analizuar problemet dhe kostot që shkaktohet nga kjo tarifë për eksportuesit, si dhe ndikimin që do të ketë me konkurrueshmërinë e produkteve me vendet e rajonit,” vazhdon më tej letra e kompanive.

Ndër të tjera, BPSH kërkon dhe që Ministria e Infrastrukturës të përfshijë në procesin e vendimmarrjes për tarifat e Rrugës së Kombit, kompanitë private dhe grupet e interesit që përfaqësojnë një grup kategorish të produkteve shqiptare.

Deri më tani, Ministri Gjiknuri ka deklaruar se do të ketë një rishikim të tarifave për banorët e zonës, por nuk premtuar asnjë ndryshim për bizneset dhe kompanitë që janë përdoruese të shpeshta të rrugës.

Vendosja e tarifave për kalimin e aksit Milot-Morinë u lajmërua nga Qeveria Rama më 23 mars 2018 dhe do të fillonin të mblidheshin nga kompania koncesionare më 15 prill.

Tarifat e miratuara nga qeveria janë këto:

 – Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, pra 5 euro vajtje-ardhje;

 – Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, pra 10 euro vajtje-ardhje;

 – Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, pra 22,4 euro vajtje-ardhje;

 – Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, pra 32,4 euro vajtje-ardhje;

  – Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, pra 45 euro vajtje-ardhje.

Por protestat e banorëve të qarkut Kukës bllokuan përkohësisht vendosjen e tarifave dhe detyruan Kryeministrin Rama të nisë një fushatë informuese lidhur me këtë vendim. Nuk dihet ende se sa do të reduktohet tarifa për banorët e zonës, por dihet me siguri që kalimi në aksin Milot-Morinë nuk do të jetë falas për askënd.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>