Rrugët e amortizuara në Durrës e Shijak, abuzimi prej 1.4 miliardë lekësh me rrugën e “Sektor Rinia”

Nga Geri Emiri
Rrugët e amortizuara në Durrës e Shijak, abuzimi prej 1.4 miliardë lekësh me rrugën e “Sektor Rinia”

Disa prej rrugëve kryesore në Bashkinë e Durrësit dhe Shijakut që lidhin qytetet me njësitë administrative janë në gjendje tejet të amortizuar, teksa fondet për to kanë qenë të larta dhe të herëpashershme. Mungesa e investimeve ka prekur edhe rrugët që e lidhin qytetin e Durrësit me bregdetin, si ajo e fshatit Rrushkull. Në të njëjtën gjendje ndodhet edhe rruga e “Sektorit Rinia”, që është rikonstruktuar në vitin 2014 dhe 2016, një investim në total 1.4  miliardë lekë të vjetra dhe ku sot pjesa më e madhe e asfaltit ka rrëshqitur.

Në këto fshatra janë zhvilluar disa protesta, të cilat deri më sot duket se kanë rënë në vesh të shurdhët dhe banorët e këtyre njësive administrative kufizohen në aktivitetin e tyre të përditshëm. Më 14 qershor 2013, ish-deputeti socialist i Durrësit, Ilir Beqaj, denoncoi gjendjen e rrugës Shijak-Durrës dhe asaj të Sektorit Rinia, por teksa e para vijon të jetë në të njëjtën gjendje pas 6 vitesh, rruga e Sektorit Rinia ka marrë dy investime, që kanë degraduar me rrëshqitjen e asfaltit.

krahasuese e rrugës së ‘Sektorit Rinia’ (fshati Adriatik, Durrës). Foto: Geri Emiri

Rrugët drejt bregdetit, “gropë” për paratë publike dhe automjetet e qytetarëve!

Në Bashkinë Durrës, në Njësinë Administrative Katund i Ri kalon rruga që lidh fshatin “Adriatik”, të njohur si “Sektori Rinia”, me qytetin. Kjo rrugë shërben edhe për të shkuar te “laguna e Fllakës” dhe plazhi ranor i Sektorit Rinia.

Rruga e ‘Sektorit Rinia’ (fshati Adriatik, Durrës). Foto:Geri Emiri

E njohur zyrtarisht si rruga “Vath Turja”, ku kryqëzohen disa fshatra të Durrësit, ajo u rikonstruktua nga Bashkia Durrës në vitin 2014. Kompanitë ndërtuese “Rajli Ndërtim” sh.p.k dhe “Varaku E” sh.p.k fituan sipas Bashkisë Durrës, tenderin rreth 40 milionë lekë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri me dije për Portën Vendore se nga auditimi i Bashkisë Durrës ka gjetur se ajo ka kryer pagesa të tepërta në vlerën 75.200 lekë ndaj bashkimit të operatorëve ekonomikë, për 5 zëra punimesh me diferenca volumesh të pa kryera, në kundërshtim me kushtet e kontratës. KLSH ka kërkuar që Bashkia Durrës të ndjekë rrugët ligjore, që dy kompanitë private të rikthejnë lekët e marra për punët e pakryera.

Banorët e fshatit Adriatik (Sektori Rinia), gjatë rikonstruksionit të dytë të rrugës në vitin 2016, protestuan duke e shkërmoqur me daltë asfaltin, për të demonstruar punimet jo cilësore. Asfalti i rrugës një viti pas rikonstruksionit të parë nisi dalëngadalë të zhdukej, duke dalë shtresa e dheut!

“Rruga po të kishte cilësinë e duhur nuk do të rrëshqiste. Përpara disa kohësh është shtruar dhe ka rrëshqitur përsëri”, tha për Portën Vendore Jahir Dulla, banor i Sektorit Rinia, që shton se për protestat e tyre bashkia ka bërë sikur i ka dëgjuar. Lëvizja e rrugës ka sjellë edhe dëmtimin e kanalit kullues të ujërave, duke përmbytur shtëpitë aty pranë kur reshjet e shiut janë me intensitet të lartë.

Në fshatin Adriatik, dikur qëndronin qytetarët e internuar nga sistemi komunist, dhe në vitet 1994 -1995, një pjesë e banorëve të shpërngulur nga përmbytja e Hidrocentralit të Fierzës,-u vendosën aty.

Për këtë rrugë, asfalti i së cilës ka rrëshqitur për qindra metra, Bashkia Durrës bëri me dije për Portën Vendore se; -“Përsa i përket dëmtimeve të asfaltit në këtë rrugë, kjo ka ardhur pasi është një rrugë që përshkohet nga mjete të rënda transporti. Rikonstruksion tjetër për këtë vit nuk është parashikuar”.

Porta Vendore zbuloi se përveç tenderit të vitit 2014, me vlerë 40 milionë lekë për këtë rrugë, Bashkia Durrës ka dhënë edhe 100 milionë lekë të tjera për rikonstruksion të rrugës “Virnë – fshati Rinia” më 16 shkurt 2016.

Fitues i këtij tenderi ishte bashkimi i 3 kompanive, “Sireta 2F” sh.p.k – “Agri Construksion” sh.p.k – “Beladi” sh.p.k. Ndaj këtij tenderi në Komisionin e Prokurimeve Publike janë ankuar 3 operatorët e tjerë pjesëmarrës në garë, “Nika” sh.p.k. & “Kthella” sh.p.k. & “Mane/S” sh.p.k.”.

Pretendimi i tyre ishte se: “Vendimi është absolutisht i padrejtë dhe i bazuar në pretendime hipotetike dhe jo në fakte që ekzistojnë… Ne kompanitë pjesëmarrëse në këtë procedurë prokurimi kemi pasur afat për dorëzimin e deklaratës tatimore deri në datën 21.12.2015 ora 16.00 sipas orarit zyrtar të punës. Ndërkohë që procedura e prokurimit është zhvilluar më datë 21.12.2015, ora 10.00. Në një kohë që nuk kemi qenë akoma ligjërisht të detyruar për të deklaruar dhe paguar listëpagesën (e punonjësve) e muajit nëntor 2015”.

Por Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të mos e pranojë ankesën, për shkak se numri i punonjësve që dispononte shoqëria “Kthella” sh.p.k. ishte më i vogël se sa përqindja e punëve që kishte marrë përsipër.

Porta Vendore zbuloi se edhe rikonstruksioni i dytë i rrugës kishte rënë përsëri në “rrjetën” e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Me rikonstruksionin e vitit 2014 dhe 2016, Bashkia Durrës shpenzoi 1 miliard e 400 milion lekë të vjetra për një rrugë, asfalti i së cilës është shkërmoqur dhe ka rrëshqitur.

“Nga auditimi i dokumentacionit teknik mbi hartimin e projektit të zbatimit dhe preventivit të punimeve të ndërtimit, rezulton se janë preventivuar me tepër fond limit, si pasojë e rritjes fiktive të çmimeve të krahasuar me manualin teknik të çmimeve, në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore…, duke shkaktuar rritje fiktive të fondit limit në vlerën 917,280 lekë pa tvsh”, shkruhet tek gjetjet e KLSH-së.

KLSH i ka rekomanduar kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i cili më herët me Kryeministrin Edi Rama e paraqiti këtë investim si “Rruga e rilindjes së fshatit”, që të fillojnë procedurat për dhënien e masës disiplinore për 3 punonjëset e përfshira në këtë shkelje dhe disa të tjera.

“Gropat në rrugë krijojnë lëvizje të pa kontrolluara të mjeteve, pasi asnjëri nuk do t’i bie makina në gropë dhe duke bërë këto zig-zage në rrugë rrezikojnë njëri-tjetrin, dalin nga rruga, makinat mund të deformohen, pra janë rrezik i shtuar për jetën e qytetarëve”, tha për Portën Vendore eksperti autoteknik i aksidenteve rrugore, Gëzim Hoxha.

Rikonstruksioni i rrugës së fshatit Rrushkull, siç banorët nuk e duan!

Ndërsa në Njësinë Administrative Sukth, gjendet fshati Rrushkull, pjesë e Bashkisë Durrës, rruga e të cilit nuk i shërben vetëm banorëve, por edhe atyre që frekuentojnë plazhin e Rrushkullit.

“Në fshatin tonë Bashkia e re e Durrësit nuk ka bërë asnjë investim dhe rruga ka qenë e shtruar që në kohën e monizmit. Fshati Rrushkull ka 4500 banorë, nga të cilët 400 nxënës shkojnë në shkollë dhe nuk kanë ku të kalojnë në këtë rrugë”, tha për Portën Vendore Pal Beshiri, kryeplak i fshatit Rrushkull.

Bashkia Durrës na bëri me dije nëpërmjet një Kërkese për të Drejtën e Informimit se, “Është në procedurë tenderimi rehabilitimi i këtij aksi me fond limit 120 milionë lekë me TVSH. Ky objekt do të përfshijë prerjen e asfaltit ekzistues, asfaltim të ri si dhe pastrimin e bankinave përgjatë aksit Perlat – Rrushkull, rreth 3 km gjatësi rruge”.

Por kryeplaku i fshatit Rrushkull, Pal Beshiri, në emër të banorëve tha se kundërshtojnë vetëm rikonstruksionin e rrugës, pasi sipas tyre, ajo duhet të ketë edhe trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. Investimet në akset rurale dhe urbane varen nga Bashkia Durrës dhe nga ndërmarrja e saj, “Rruga”, në varësi të specifikave të ndërhyrjes dhe efektit financiar që ajo ka.

Bashkia Durrës na informoi se mirëmbajtja në rrugët që ajo administron kryhet nga Ndërmarrja “Rruga” dhe se kërkesat për investime vijnë nga banorë të zonës, në formë peticionesh ose individuale, si edhe nga përfaqësues të njësive administrative përkatëse.

Rruga Shijak-Durrës, hendek për qendrat urbane dhe bizneset!

Rruga kombëtare Shijak-Durrës është me rëndësi jetike, jo vetëm për të lidhur banorët e dy qendrave urbane dhe fshatrave përgjatë rrugës, por edhe për qindra biznese me pronësi shqiptare e të huaj, që operojnë pranë kësaj rruge.

Vath Kacbufi është një nga banorët e vjetër të fshatit Rrashbull, që lidhet me Durrësin e Shijakun nëpërmjet rrugës kombëtare. Ai i tha Portës Vendore se kjo rrugë dikur ishte e shtruar me asfalt në të dyja anët dhe e pyllëzuar nga Shijaku deri në Durrës. Por këto kujtime i përkasin një Shqipërie tjetër, asaj të përpara viteve ‘90-të.

Mëngjesin e 19 prillit të këtij viti, me vazo lulesh, kontejnerë mbeturinash, tulla dhe sende rrethanore, banorët e fshatit Xhafzotaj, të Njësisë Administrative Rrashbull, pjesë e Bashkisë Durrës, bllokuan rrugën kombëtare Shijak-Durrës për mbi një orë.

Revolta nisi nga emigrantët që ishin kthyer te familjet e tyre dhe që prej vitesh përballen me të njëjtën gjendje. “Kjo rrugë ka kështu që prej 2 vitesh, duke na krijuar vonesa në lëvizje. Kemi parë disa që hidhnin material anësore, por rruga më shumë u prish”, tha për Portën Vendore Ramazan Meta, banor i fshatit Rrashbull.

Amortizimi i rrugës Shijak-Durrës.Foto: Geri Emiri

Nëpërmjet një Kërkese për të Drejtën e Informimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) na informoi se segmenti rrugor Shijak – Durrës dhe Katër Rrugët – Pjezë, janë në inventarin e rrjetit rrugor të saj.

“Kontrata e mirëmbajtjes ka nisur më datë 29.1.2016 – 29.1.2018 (2 vite) dhe ka kushtuar në total për të gjitha akset e përfshira në kontratë 90 milionë lekë”, bëri me dije ARRSH.

Porta Vendore i kërkoi ARRSH-sëtë identifikonte zonat e mirëmbajtura nga kompanitë private dhe foto të punimeve të kryera, por përgjigja ishte e përgjithshme, duke na bërë me dije se ishin kryer pastrime kanalesh, largim të ujërave nga trupi i rrugës, nivelim bankinash, pastrim nga vegjetacioni, mbushje gropash dhe plotësim me sinjalistikë vertikale, horizontale dhe elementë të sigurisë rrugore.

Fotografitë që Porta Vendore disponon tregojnë se gjendja e rrugës është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2015. Sipas informacioneve të mbledhura, disa prej ndërhyrjeve për mbushjen e gropave janë bërë me “rërë bituminoze”, një material që për ekspertët nuk është i qëndrueshëm dhe shkërmoqet në një kohë të shkurtër.

Rruga Katër Rrugët –Pjezë, aty ku asfalti përbëhet nga inertet!

Në vijim të kontratës së mirëmbajtjes së rrugës Shijak-Durrës, ka qenë edhe segmenti rrugor nga Katër Rrugët e Shijakut, deri në fshatin Pjezë. Sot rruga me dy korsi duket se është kthyer me një, pasi gropat e thella të njërës nga korsitë është mbushur provizorisht nga banorët e zonës me inerte të nxjerra gjatë punimeve në shtëpitë e tyre.

Më 1 mars 2018, kur shumica e banorëve të Shijakut i gëzoheshin rënies së flokëve të borës, që rrallë herë e zbardh këtë zonë, banorët e fshatit Pjezë bllokuan në mes të ftohtit për rreth një orë rrugën që e lidh zonën edhe me Tiranën, nëpërmjet Kombinatit.

Po ashtu fotot që Porta Vendore disponon për këtë rrugë: për vitet 2015 dhe 2016, tregojnë të njëjtën situatë. Megjithëse sipas ARRSH-së ka pasur një kontratë mirëmbajtje me vlerë 90 milionë lekë, për dy vite, ku për vitin 2017 shërbimi i mirëmbajtjes është kryer nga kompania “Al-Asfalt” sh.p.k dhe punimet janë certifikuar nga mbikëqyrësi i kontratës, “Gjeokonsult&Co” sh.p.k.

Foto e rrugës Katër Rrugë –Pjezë. Foto:Geri Emiri

Alfred Kaja është me origjinë nga Dibra dhe ka ardhur përpara 15 vitesh në fshatin Pjezë të Shijakut,- për një jetë më të mirë. Ai tha për Portën Vendore se që kur ka ardhur, në këtë gjendje e mban mend rrugën.

“Rruga është kthyer në një problem shumë të madh për ne sepse nuk kemi ku të kalojmë”, shtoi 40-vjeçari.

“Këtu ka përgjegjësi enti pronar i rrugës që e ka lënë rrugën të katandiset deri në këtë lloj faze. Nëse aty ka një kompani mirëmbajtje që e ka lënë rrugën të katandiset deri në këtë lloj gjendje, duhet patjetër të mbahet nën kontroll nga autoritet ky subjekt që ka fituar tenderin”, tha për Portën Vendore Gëzim Hoxha, ekspert auto-teknik i aksidenteve rrugore.

Gjendjen e rëndë të rrugës e pranoi edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, teksa tha për ne se:- “Pavarësisht nga këto shërbime…për shkak të amortizimit të trashëguar ndër vite…rrugët nuk kanë qenë në  nivele të mira. Përmirësimi i gjendjes në segmentet rrugore të përmendura bëhet me anë të hartimit të projektit për ndërhyrje dhe rikonstruksion të plotë”.

Duket se rikonstruksioni i rrugës është vite larg, teksa ARRSH na informoi se që më datë 29 janar 2018 ka përfunduar kontrata e mirëmbajtjes së rrugës Shijak-Durrës dhe Katër Rrugët-Pjezë.“Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit dhe vlerësimit të ankesave nga operatorët. Sapo të lidhen kontratat e reja, do të ndërhyhet me përparësi në rehabilitimin e këtyre akseve”, shtoi ARRSH.

Rruga Katër Rrugët – Sallmone, e mbetur jetime

Një tjetër nga rrugët e Bashkisë Shijak që është kthyer në rrezik për përdoruesit e saj, për shkak të gropave dhe uljeve që ka pësuar shtresa e asfaltit, është rruga e Sallmones.

Porta Vendore pyeti Autoritetin Rrugor Shqiptar lidhur me mirëmbajtjen e kësaj rruge, por ky institucion na informoi se:- “Segmenti rrugor Katër Rrugët – Sallmone nuk është në inventarin e akseve rrugore që administrohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar….Ai i përket rrjetit të rrugëve që administrohen nga Bashkia Shijak”.

Foto e rrugës Katër Rrugë –Sallmone. Foto: Geri Emiri

Por duket se Bashkia Shijak nuk ka informacion se e ka në administrim dhe ka për detyrë të mirëmbajë rrugën që përshkon fshatin Sallmone. “Ato janë akse shtetërore dhe administrohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar”, na bënë me dije zyrtarisht nga Bashkia Shijak.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>