RTSH: Arena Kombëtare ka probleme teknike; FSHF përgënjeshtron

Nga Gerard Gega
RTSH: Arena Kombëtare ka probleme teknike; FSHF përgënjeshtron

Federata Shqiptare e Futbollit nxitoi të përgënjeshtronte lajmet se vëzhguesit e UEFA-s kishin pikasur mungesë të respektimit të standardeve të transmetimit në Stadiumin Kombëtar.

Radio Televizioni Publik Shqiptar raportoi të mërkurën se “askush nuk mund ta thotë me siguri nëse ndeshja me Francën do të luhet në stadiumin e ri” pasi “gjatë inspektimit, të dërguarit e UEFA-s kanë pasur shumë kritika dhe kanë vendosur disa detyra emergjente”.

Sipas Departamentit të Sportit në RTSH “Stadiumi Kombëtar ka pasur probleme teknike për sa i përket prodhimit të sinjalit, transmetimit të ndeshjes dhe akomodimit të gazetarëve”. Po sipas RTSH vëzhguesit e UEFA-s kanë kërkuar që të ndryshohet pozicioni i vendosjes së kamerave duke u zbritur një kat më poshtë. “Jo të gjithë gazetarët kishin pamje të qartë të fushës dhe për këtë është kërkuar ndryshimi edhe i pozicioneve të tyre”.

UEFA njihet për rregullat strikte që vendos, sidomos për sa i përket transmetimit të eventeve që organizon. Një problematikë e tillë është hasur në ndeshjet kualifikuese të Europa League dhe Champions League. Operatorë shqiptarë të të cilët kanë qenë ngarkuar me transmetimin janë detyruar të nënkontraktojnë kompani të huaja për të mbuluar me përpikmëri kushtet teknike të UEFA-s.

Sipas RTSH Sport “ndryshimet e kërkuara nga UEFA duhet të bëhen brenda pak ditëve, pasi nuk është marrë ende një vendim përfundimtar nëse sfida do të luhet apo jo në Stadiumin Kombëtar”.

Përballë këtij lajmi Zëdhënësi i FSHF-ës, Andi Verçani, përgënjeshtroi për Panorama-Sport duke thënë se ishte i çuditur se nga kishin dalë informacione të tilla. Verçani këmbënguli se stadiumi i ka plotësuar kushtet dhe se ndeshja Shqipëri-Francë do të luhet aty, por ai nuk mohoi se kishte patur probleme:

FSHF dëshiron të informojë opinionin publik se në një vepër publike madhore siç është stadiumi i ri Kombëtar, ka pasur dhe ka probleme të vogla të cilat ndeshen në çdo investim madhor, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Ne ju sigurojmë se të gjitha zërat që kanë dalë se ka probleme në lidhje me sistemin e transmetimit dhe akomodimin e gazetarëve, janë totalisht të pavërteta. Çuditemi nga fakti se nga kanë dalë këto informacione.

Më 17 nëntor pritet të përurohet zyrtarisht Stadiumi Kombëtar, i cili është rindërtuar nga e para sipas një projekti që ka kaluar me shumë debate gjatë tre viteve të fundit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>