Deputetja Rudina Hajdari, një nga katër anëtarët e Këshillit Politik, pohoi sot se PD ka kërkuar krijimin e një qeverie kujdestare përpara zgjedhjeve, por një qeveri e tillë nuk do të zgjidhte asgjë ndaj ajo është kundër këtij propozimi.
Në një intervistë për ABC News mëngjesin e sotëm, Zonja Hajdari u shpreh se propozimi i PD-së nuk është i papritur, por që Këshilli Politik nuk mund ta diskutojë pasi është jashtë kompetencave të tij:
Ajo krahasoi propozimin e PD-së me qeverinë teknike të vitit 2017 dhe tha se nuk e shikon si zgjidhje për zgjedhje të lira e të ndershme, këtë propozim të PD-së:
“Ju kujtoj këtu [se] 2017 që ishte dicka e ngjashme, dhe nëse ne do të krijojmë një qeveri teknike kjo nuk garanton zgjedhje të lira parlamentare, pasi çdo person që do të vihet në atë qeveri kujdestare do të vihet sërish nga një person politik dhe është shumë e vështirë që të vihet dhe të zgjidhet një person teknik.
Shikoj këtu një dëshirë vetëm për të ndarë pushtetin dhe jo për të administruar zgjedhjet, pasi në vendet e tjera nuk ka nevojë për një qeveri teknike për të menaxhuar zgjedhjet.
Jam skeptike për një qeveri teknike dhe rolin që ajo mund të ketë.”
Dje, Exit News bëri publik propozimin zyrtar të PD-së për Këshillin Politik, ku parashikohet krijimi i një qeverie të përbashkët kujdestare me PS-në, 100 ditë para zgjedhjeve, me mision kryesor kujdesjen për administrimin e zgjedhjeve parlamentare.
Ky dokument u konfirmua nga Exit News nga disa burime të ndryshme, por PD, përmes zëdhënes për shtyp Ina Zhupa e përgënjeshtroi shkrimin dhe akuzoi Exit News për botimin e një lajmi fake news.
Ndërkohë PD, përmes zyrës së shtypit, është shprehur se detajet e propozimit të saj do të bëhen publike vetëm kur ajo të paraqesë një projekt-ligj për ndryshimin e mënyrës së funksionimit të Këshillit të Ministrave.