Protestat e fundit kundër qeverisë rumune dhe ligjit “antikorrupsion” treguan se anëtarësimi në BE, institucionet antikorrupsion, apo reforma në drejtësi nuk janë një garanci për të çrrënjosur korrupsionin apo zbatimin e ligjit nga politikanët.
Në vitin 2011, Qendra rumune për Politikat Evropiane publikoi një raport “Qasja e BE-së për Reformën në Drejtësi në Evropën Lindore dhe Juglindore”. Ky raport vlerëson masat anti-korrupsion dhe reformat në drejtësi të mbështetura nga BE në vendet si Kroacia, Serbia, Maqedoni, Rumania, Bullgaria, Moldavia dhe Ukraina. Ai analizon kthjellësisht politikat të cilat qendrojnë edhe pas reformës në drejtësi të miratuar së fundmi në Shqipëri dhe jep disa ide se si mund të shkojë kjo reformë në të ardhmen.
Anti korrupsioni
Pas anëtarësimit në BE të tetë vendeve të Evropës lindore në vitin 2004, BE kuptoi se nuk kishte një politikë gjithëpërfshirëse antikorrupsioni për këto vende. Kjo politikë u formalizua vetëm në vitin 2005 për vendet kandidate në BE. Para anëtarësimit në BE, Bullgaria dhe Rumania ishin subjekt i Mekanizmit të Bashkëpunimit dhe Verifikimit (MBV). Ky mekanizëm përfshin edhe themelimin e një agjencie për kontrollin e pasurive të zyrtarëve publikë. Në vendin tonë këtë funksion e kryen Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).
Pas shembullit të Rumanisë dhe Bullgarisë, BE vendosi ngritjen e institucioneve antikorrupsion përpara fillimit të procesit të anëtarësimit të një vendi. Ky vendim erdhi, pasi u kuptua se zbatimi i politikave antikorrupsion pas anëtarësimit në BE i jep mundësi politikanëve të vendit të ndikojnë në to.
“Në vend që të mbështetemi vetëm në dëshirën e mirë të politikanëve (specifikisht në ato politikanë të interesuar në reformat antikorrupsion dhe të drejtësisë), mekanizmat e kontrollit duhet të lidhen me procesin e liberalizimit të vizave dhe dhënien e fondeve nga BE.
Ndryshimi i vlerave të shoqërisë kërkon më shumë se sa disa vite (dhe vendet rrallë i kushtojnë vemendje këtyre ndryshimeve pas anëtarësimit në BE). Ndaj instrumentet të cilat shoqërojnë këtë kalim duhet të jenë të mirëmenduara”, shkruhet në raport.
Në rastin e Shqipërisë, BE po përdor karrotën e hapjes së negociatave si forcë për zbatimin e reformës në drejtësi. Por karrota është tërheqëse për aq kohë sa nuk është e prishur; për aq kohë sa politikanët shqiptarë besojnë se negociatat do të hapen në të ardhmen.
Pas anëtarësimit të një vendi, BE-ja ka pak mjete në dorë për të detyruar zbatimin e politikave antikorrupsion të nisuar përpara anëtarësimit. Nisma e fundit e qeverisë rumune, dhe vendosja e regjimit totalitar në Hungari dhe Poloni tregojnë se BE është e pafuqishme të ndalojë qeverinë e një vendi anëtar të shkelë zbatimin e ligjit.
Edhe pse raporti vlerëson “Drejtorinë Antikorrupsion të Rumanisë” si një nga më “impresionueset” ndër institucionet e simotra të ngritura në rajon, ai shkruan se një ndryshim i ligjit i cili legalizon korrupsionin me një votë të vetme:
Në fillim të gjithë politikanët kanë prirjen të miratojnë legjislacionin antikorrupsion, në mënyrë që të bindin Komisionin Evropian se ato janë të gatshëm të luftojnë korrupsionin. Sidoqoftë, kur institucionet e e krijuara kthehen kundra tyre, ato nuk kanë turp të përdorin boshlliqet ligjore (të krijuara nga vetë ato) për të minuar arritjet antikorrupsion.
Ajo çfarë po ndodh në Rumani, tani, është pikërisht përpjekja për të krijuar një boshllëk ligjor për të përdorur institucionet e ngritura në interesin e tyre.
Reforma në Drejtësi
Raporti flet edhe për reformat e ndryshme të drejtësisë të zbatuara pas rënies së komunizmit në vende të ndryshme. Qëllimi i të gjitha këtyre reformave ishte shkëputja e gjyqësorit nga politika, dhe vendosja e një gjyqësori të pavarur. Sikurse thekson raporti, gati në të gjitha rastet reforma në drejtësi ka dështuar, pjesërisht ose plotësisht, pavarësisht mënyrave të ndërlikuara për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të reja të drejtësisë.
Shohim të njejtën strategji të BE në reformën e drejtësisë në Shqipëri. Njësoj si në vendet e tjera, pika e dobët e reformës në drejtësi është zgjedhja e një numri të madh komisionesh ad-hoc ose të përhershme, me votë ose me short, subjekt i vetingut, në duar të vetë gjyqësorit. Raporti shprehet se:
Shpjegimi për këtë pikë të dobët të sistemit lidhet me histroinë e rajonit. Gjatë komunizmit politikanët kontrollonin gjyqësorin, dhe kjo praktikë vazhdoi edhe pas vendosjes së demokracisë së brishtë. Ato për dekada, kanë mbushur sistemim me staf të bindur, të lidhur pas karrierrës, ndërsa personat e pavarur, mendje hapur janë marxhinalizuar gjtihmonë.
Fatkeqësisht mundësitë janë më të këqija, eksperienca tregon ses Serbia ricaktoi të njëjtën gjykatës dhe Ukraina nuk vendosi asnjëherë një gjyqësor të pavarur. Fatkeqësisht, pavarësia e tyre nuk solli besueshmëri dhe efikasitet. Ne nuk e bllokojmë pavarësinë, ne vetëm paralajmërojmë se kjo nuk ëshët një zgjidhje magjike në të cilën të gjtihë besuam njëherë.
Mungesa e evropianizimit
Në fund, raporti flet për “Mungesën e Evropianizimit” të klasës politike të vendeve të Evropës juglindore. Si shembull paraqitet prirja për të emëruar prokurorët nga Kuvendi, si në rastin e Shqipërisë. Kjo mënyrë ka rezultuar e gabuar. Në raport shkruhet se:
Ne e dimë se lufta ndaj korrupsionin në vende shumë të korruptuara nuk është një ndërmarrje konsensuale. Përkundrazi, ëshët një përpjekje shkatërruese. Përgjegjësia e Parlamentit për të mbikqyrur disa institucione mund të funksionojë kur ato I kanë përmbushur të gjitha hallkat e dakordësisë. Por antikorrupsioni funksionon në mënyrë tërësisht të kundërt me këtë.
Në fakt deputetët e vendeve kandidate nuk shoqërohen me të ngjashmit e tyre në vendet e BE-së për të zhvilluar një kuptim më të thellë të rolit të deputetit në BE. Kjo mungesë “Evropianizimi” ose “shoqërizimi” ndërmjet elitës politike vendase dhe BE është rezultati direkt i mënyrës se si është strukturuar procesi i anëtarësimit. Vendi kandidat ka lidhje direkt me Komisionin Evropian nëpërmjet delegacionit të BE-së. Por nga ana tjetër është shumë pak i ekspozuar me institucionete e tjera si Parlamenti Evropian apo parlamentet kombëtare.
Sërisht kjo mund të shihet shumë mirë edhe në Shqipëri, ku Ambasadori i BE-së Vlahutin haptazi ka mbajtur anën e qeverisë shqiptare, dhe anëtarët e Parlamentit Evropian janë bërë objekt sulmi duke i konsideruar të parëndësishëm.
Problemi strukturor
Raporti flet për “problemin strukturor”, që qëndron në themel të problemeve të ndryshme:
“Reforma në drejtësi dhe antikorrupsionit, promovuar me kosto të lartë nga BE-ja, janë minuar shpesh nga parlamentet. Ne duhet të përballemi me realitetin që këto vende kanë një problem strukturor: kërkesën e dobët të brendshëm për të luftuar korrupsionin në nivel shoqëror. Për fat të keq, partitë politike janë me të vërtetë përfaqësues të popullit të tyre.”
Kjo “kërkesë e dobët e brendshme”: do të thotë se në këto vende nuk është tradita e vënies përpara përgjegjësisë së politikanëve. Ka pasur pak protesta kundër zyrtarëve të korruptuar, si në rastin e 21 janarit si reagim ndaj një denoncimi për korrupsion nga kryetari aktual i Kuvendit Ilir Meta, apo protestat aktuale në Rumani, që në fakt, nuk janë mbuluar nga media tradicionale shqiptare.
Sidomos në Shqipëri, votimi për një parti të caktuar nuk ka fare të bëjë me politikat e partisë për të vënë përpara përgjegjësisë kandidatët e saj. Vota konsiderohet ende si transaksion tregtar dhe jo si angazhim ndaj një sërë idesh se si shoqëria duhet të organizohet.
Ky problem strukturor nuk do të largohet nga reforma në drejtësi, sado i suksesshëm apo jo të jetë procesi i vetingut. Ligjet mund të ndryshohet, ose thjesht të injorohen. Dhe edhe në qoftë se ligji zbatohet relativisht në mënyrë të drejtë, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se shoqëria do të strukturohet rreth tij. Zbatimi i ligjit nuk do të thotë të jetosh me të – dhe kjo vlen si për zyrtarët shqiptarë, ashtu dhe për ato të BE-së.
Një incident i muajve të fundit që e vërteton këtë mjaft qartë — Ministri i Financave Arben Ahmetaj u shfaq së bashku me ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë Elvis Rroshi. Edhe pse mandati i Rroshit kryetar bashkie është hequr nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si rezultat i ligjit dekriminalizimin, ai duket se është ende në pushtet. Duke dalë publikisht së bashku me Rroshin, Ministri Ahmetaj nuk bën asgjë të paligjshme, por veprimi i tij shpreh përbuzje e tij për procesin e dekriminalizimit dhe për këtë arsye, e deligjitimon atë.
BE-ja si zëvendësuese e keqe
Së fundi, raporti ofron informacione për rolin preciz të BE-së në ato vende ku “ka kërkesë të dobët të brendshme kundër korrupsionit”. Ai sygjeron se “nga natyra e procesit të anëtarësimit, BE po zëvendëson mangësitë strukturore.” Me fjalë të tjera, është BE dhe jo shqipëtarët ajo që ka tashmë rolin e vënies përpara përgjegjësisë së zyrtarëve shqiptarë.
Ambasadori amerikan mund të denoncojë korrupsionin, por është Delegacioni i BE-së ai që ka mjetet dhe kornizën ligjore, e më e rëndësishmja, ai që mund të luajë rolin e rëndësishëm të “evropianizimit” të elitës politike shqiptare. Për fat të keq, ai refuzon ta bëjë këtë. Jo vetëm që ambasadorja e BE-së Vlahutin ka heshtur për rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe dekriminalizimin – ajo ka theksuar vetëm rëndësinë e ligjit të vetingut – por ajo dhe ka dëmtuar imazhin e BE-së në Shqipëri, me blerjen e një pasurie të patundshme në një zonë ku shqiptarët kanë të gjithë arsyet e mundshme të besojnë se pjesa më e korruptuar dhe kriminale e shoqërisë jetojnë.
Ka shumë mësimë për të mësuar nga reformat e drejtësisë apo ligjet antikorrupsion, të nisura nga BE në vendet rreth nesh, e nuk është ende shumë vonë për të mësuar nga to.